E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapshticë, emigrantët vuajnë festat, 10 në radhë për të kaluar kufirin

Mbipopullohet kufiri Shqipëri-Greqi, orë ankthi për mijëra shqiptarë që presin të hyjnë në territorin grek aps fetës së Pashkëve. Situatë e pazakontë në Kapshticë, radhë 5 kilometra e gjatë në kufirin shqiptar për të hyrë në shtetin fqinj. Pasi kanë festuar festën e Pashkëve në Shqipëri, mijëra emigrantë shqiptarë kanë nisur rrugën e kthimit drejt shtetit fqinj. Si rrallëherë pika e kalimit kufitar të Kapshticës është mbipopulluar nga të paktën 10 mijë shtetas shqiptarë, të cilët do të kalojnë në shtetin grek për të vazhduar jetën e tyre të emigrantit. Që në orët e para të mëngjesit të djeshëm ka filluar të rritet gjatësia e radhës në anën tonë të kufirit, e cila nga ora 10:00 e paradites deri në orët e vona të mbrëmjes ka mbetur e pandryshuar deri 5 kilometra në afërsi të fshatit të parë shqiptar, atij Kapshticë. Ndonëse pala shqiptare dhe ajo greke nuk e kanë ndërprerë për asnjë çast punën e tyre, efektivat e policisë dhe doganës në të dy shtetet nuk kanë mundur të shmangin pritjen e pafundme që ka kaluar të 10 orët për një individ, ndërkohë që me qindra fëmijë, gra dhe të moshuar iu është dashur gjithashtu të provojnë shijen e kësaj pritjeje gati torturuese për ta. Duke iu referuar shifrave zyrtare të bëra të ditura për gazetën nga komandantit i pikës së kalimit kufitar të Kapshticës Dritan Shema, kanë lënë Shqipërinë nga mesnata e të dielës duke u gdhirë e hëna deri në orën 17:00 të po kësaj dite mbi 7 mijë emigrantë me rreth 2 mijë automjete, mes të cilëve dhe 10 autobusë të linjave të përditshme me Greqinë. Në anën shqiptare për daljet nga vendi ynë funksionojnë 7 sportele, ndërkohë që ky është dhe kapaciteti maksimal i sporteleve në këtë vendkalim kufitar. Edhe pala greke për hyrjet në Greqi ka shtuar numrin e sporteleve nga 2 në 4 të tillë 24 orë më parë. Ndërsa situata e pritjes dhe konfuzioni kanë mbështjellë Kapshticën në anën shqiptare, situatë e rënduar paraqitet dhe për daljet nga Greqia drejt Shqipërisë. Sipas autoriteteve shqiptare të kësaj pike kalimi mësohet se edhe gjatë të hënës ka patur fluks hyrjesh nga shteti fqinj, ndërsa radha në tokën greke ka qenë më shumë se 2 kilometra e gjatë. Duke iu referuar të njëjtave burime zyrtare në 24 orët e fundit kanë hyrë në Shqipëri rreth 2500 emigrantë shqiptare me rreth 500 automjete. Emigrantët shqiptarë, të indinjuar tregojnë se sa herë që vijnë për festat në atdheun e tyre iu duhet të përballen në kufi me pritje që kalojnë çdo limit. Ndonëse ata kanë kaluar më shumë se 10-12 orë pritje ende nuk kanë përfunduar procedurat ndërkufitare në të dyja pikat e kalimit, ndërsa sipas autoriteteve shqiptare rrezikojnë të gdhijnë natën jashtë me mijëra shtetas shqiptarë, derisa të arrijnë në sportelin greke ku duhet të marrin vulën hyrëse për në Greqi.

Last Updated on Tuesday, 21 April 2009 10:57

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›