E Diel, 1 Nëntor 2026

Sarandë, negociatat për trupin e Gjergj Mehmetit



TIRANE – Myzafer Xhemali, kunati i Gjergji Mehmetit, policit të vrarë dhe të djegur më pas në ngjarjen e Qafë-Gjashtës në mars të vitit 1997 në Sarandë, rrëfeu dje tek Krimet e Rënda mundin e kryer për tërheqjen e trupit të pajetë të kunatit të tij nga Saranda. Sipas dëshmitarit, Saranda në ato ditë ishte kthyer në një vend të “blinduar” ku askush nuk mund të futej pa marrë më parë leje nga shefi i shtabit të Shpëtimit. Dëshmitari pohoi dje se pas ngjarjes së njohur si “masakra e Qafë Gjashtës”, ku në një pritë të armatosur u vra e u dogj një punonjës policie, ndërsa u mbajt peng dhe u torturua një tjetër, në Sarandë qarkullonin fjalë që katër policët e Vlorës kishin shkuar në Sarandë për të vrarë. Për këtë arsye, askush nuk kishte pranuar t’i jepte ndihmë dëshmitarit në Sarandë. Në seancën e djeshme dëshmoi edhe Llambi Jeni, mjek në urgjencën e spitalit të Sarandës në vitin 1997. Pasi iu vu në dispozicion nga gjykata skeda e vdekjes së Gjergji Mehmetit, dëshmitari konfirmoi faktin që kishte qenë ai mjeku që e kishte firmosur. Ndërkohë, dëshmitari nuk mbante mend nëse kishte qenë ai mjeku që e kishte ekzaminuar trupin e pajetë të Mehmetit. “Erdhi djali i hallës sime dhe na tha që Gjergji ishte vrarë në Qafën e Gjashtës. Unë me kunatin tim Flamur Mehmeti, vëllain e Gjergjit u nisëm për të marrë trupin në Sarandë. Shkuam me një makinë deri në Jorgucat. Aty duhet të merrnim një makinë tjetër. Nuk na merrte asnjë taksi përsipër për të na dërguar në Sarandë. Ndaluan një nga makinat. Shoferi i saj na tha që do të shkonte në Sarandë, të merrte një shënim tek shefi i shtabit, Xhevat Koçia, për lejimin tonë në Sarandë dhe pastaj do të vinte të na merrte. Shënimi ishte një leje, me anë të së cilës ne do të mund të futeshim në Sarandë. Në orën tre erdhi ai personi dhe më të udhëtuar drejt Sarandës. Kemi ndaluar dhe jemi kontrolluar në disa postoblloqe gjatë rrugës. Rreth orës 16:00 shkuam tek bashkia e qytetit, ku ishte selia e Shtabit. Folëm me Xhevat Koçinë. Na tha që trupi i Gjergji Mehmetit ishte në morg. Kur shkuam tek morg, na thanë që trupi ishte nisur për t’u varrosur. Do ta varrosnin disa punonjës të komunales. Shkuam menjëherë tek varrezat dhe e gjetëm në momentin që ishin gati ta zbrisnin. E morëm dhe e kthyem sërish në morgun e spitalit të qytetit. Pas kësaj shkuam tek shtabi dhe kërkuam shpjegim. Nuk na dhanë asnjë version. Ne u kërkuam ndihmë të na jepnin një automjet për të transportuar trupin e pajetë drejt Tepelenës, por asnjë nuk na merrte. Kjo, pasi në Sarandë ishin hapur fjalë se Gjergji kishte shkuar në Sarandë për të vrarë. Xhevat Koçia na tha që do të vinte në shtëpi për të na dhënë shpjegime, por nuk ka ardhur as sot. Ndenjëm në spital atë natë. Një roje rreth 18-19 qëndroi aty për të na mbikëqyrur. Roja na tha se Gjergji dhe grupi i tij kishin shkuar në Sarandë për të vrarë. Të nesërmen shkuam sërish dhe kërkuam ndihmë tek shtabi. Nuk gjetën. Në vijim shkuam tek një agjenci funerale. Kërkuam aty një arkivol dhe automjet për transport. Mësuam se Gjergji kishte përdorur telefonin e pronarit të kësaj agjencie një ditë më parë, për të folur me Tiranën. Ai na dha arkivolin dhe më pas me automjetin e tij u larguam nga Saranda”, rrëfeu dëshmitari në seancë. ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›