E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krimet e Rënda kërkime në mal, familja: Kontrolloni në banesa



KUKES – Familjarët e Bleona Matës kërkojnë nga policia të shohin nëpër banesat e fshatit Zapod të Kukësit. Sipas tyre, nëse vajza është rrëmbyer, ajo mund të ndodhet akoma brenda fshatit, në ndonjë shtëpi të saj. Por, edhe në ditën e 12 të zhdukjes së 6-vjeçares kërkimet kanë vazhduar nëpër të gjithë territorin e thellë të zonës. Krahas policisë lokale në kërkim janë përfshirë edhe efektivët e policisë së Krimeve të Rënda që kanë udhëtuar nga Tirana. Skuadrat e specializuara po bëjnë kërkime në fshatrat e zonës së Zapodit, me qëllim që pasi të verifikojnë me imtësi çdo cep të zonës të heqin dorë nga pista e vdekjes së saj aksidentale apo e mbytur nga ndonjë egërsirë. Shteti ka vënë në dispozicion 3 milionë lekë shpërblim për këdo që jep informacion të saktë, për gjetjen e vajzës së mitur dhe për këtë shkak janë përfshirë në kërkim edhe qindra banorë. Në Zapod kanë udhëtuar edhe autoritetet më të larta të policisë, përfshirë drejtorin e përgjithshëm Hysni Burgaj, deputetët Noka e Dogjani, të cilët kanë mbështetur familjen dhe kanë inkurajuar efektivët blu në kërkim. Familjarët kanë këmbëngulur që kërkimi të bëhet edhe nëpër shtëpitë e Zapodit dhe fshatrave përreth me shpresën se Bleona 6-vjeçare mund gjendet e mbyllur diku nga persona të panjohur. Familja që ditët e para ka pasur dyshime se mos vajzën e kanë rrëmbyer. Sipas dëshmisë që të afërm të familjes Mata kanë dhënë në polici pas zhdukjes ata kanë hedhur dyshimin mbi një makinë që ka qarkulluar në fshat të shtunën e 22 majit. Por, pavarësisht dyshimeve nuk ka asnjë person të dyshuar për rrëmbimin e vajzës, edhe pse kjo është pista që po hetohet nga Krimet e Rënda. Nga ana e tyre prindërit janë gati të falin rrëmbyesin nëse ai e kthen Bleonën pranë familjes. Gjyshi Zeneli tha se do të hynte garant në polici të mos i ndodhte asgjë atij që ia risjell vajzën, bile do t’i paguante sa lekë të donte, duke shitur dhe shtëpinë. j.h

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›