Grabitën kisha, pranga 4 personave
ELBASAN – Grabitja e objekteve me vlerë të kishave ka vënë në pranga mbrëmë 4 persona. Policia e Elbasanit ka zhvilluar aksionin, i cili mendohet se është nisur prej 6 muajsh më parë, me anë të përgjimeve e ndjekjeve të të dyshuarve, për të vënë në pranga autorët vetëm ditën e djeshme. Nga të dhënat e para pohohet se bëhet fjalë për dy persona nga Elbasani, një nga Korça e një nga Pogradeci, ndërsa të tjerë janë në hetim. Policia mësohet se ka bllokuar një këmbanë kishe, me vlerë rreth 20 mijë euro si dhe disa ikona, të cilat dyshohet se janë grabitur në kishat e Korçës. Vlera jo vetëm historike e kishtare, por dhe materiali i kushtueshëm prej të cilit përbëhej kambana duket se kanë shtyrë autorët për vjedhjen e saj. Policia e Elbasanit nuk ka bërë të njohura detaje, pasi dyshohet se të tjerë persona janë përfshirë jo vetëm në vjedhje, por dhe në trafik të vlerave kishtare, të rrëmbyera në kishat e vendit tonë. Për këtë arsye, në orët e vona të mbrëmjes mbërritën në drejtorinë e policisë së Elbasanit specialistë nga Tirana. Emrat e të arrestuarve nuk janë bërë të ditur për arsye hetimi, pasi janë nën verifikim të tjerë persona. Operacioni është konsideruar i suksesshëm prej policisë, e cila pritet të japë sot të dhëna të sakta mbi autorët dhe aktivitetin e tyre. a.k