E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagosja e “Anxhelës”,shoqata: Policia të na mbrojë



TIRANE - Pas ngjarjes së dy ditëve më parë, kur në qendër të Tiranës mbeti i plagosur me thikë një homoseksual, i njohur me emrin “Anxhela”, ka reaguar shoqata e homoseksualëve “LGBT PRO”, duke kërkuar marrjen e masave nga ana e policisë për mbrojtjen e transvestitëve. Nëpërmjet këtij reagimi, shoqata ka denoncuar në institucionet shtetërore dhe ndërkombëtare, rritjen e frymës së urrejtjes ndaj homoseksualëve. Shoqata i ka kërkuar Policisë së Shtetit zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, ku mbeti i plagosur “Anxhela”. “Ky rast duhet të ketë një trajtim maksimal, pasi në të kundërt kjo ngjarje mund të shërbejë në rritjen e frymës së urrejtjes, ndaj personave me orientim seksual dhe identitet gjinor të ndryshëm”, janë shprehur përfaqësuesit e shoqatës. Duke kërkuar përgjigje publike nga ana e policisë për shpjegimin e rrethanave të ngjarjes përfaqësuesit e “LGBT PRO”, shprehen të shqetësuar se si ka mundësi që puna parandaluese e policisë ndaj krimit, dështon gjithmonë në qendër të Tiranës, duke përmendur edhe vrasjen e vitit të kaluar të Petrit Muçës, transvestitit të njohur me emrin “Kristina”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›