Zhduket 14-vjeçari prej 7 ditësh
KRUJE - Një nxënës i shkollës 9-vjeçare në Thumanë është zhdukur që më 26 maj. Ndonëse u bënë 7 ditë, prindërit e tij nuk kanë asnjë informacion për vendndodhjen, ndaj iu drejtuan policisë për ndihmë. Sipas saj, Leonard Lena është duke u kërkuar, por për momentin ende nuk ka të dhëna se ku ndodhet ai. Ndue Lena, babai i 14-vjeçarit u shpreh se e shoqja e kishte bërë gati më 26 maj të birin dhe e kishte nisur për në shkollë. “U ktheva rreth orës 18:00 në shtëpi, ndërsa gruaja dy orë më vonë, pasi po punonte në arë. I thashë të thërriste djalin që të më blinte një paketë, por me gjithë kërkimet tona, nuk arritëm ta gjenim”, u shpreh Lena. Sipas tij, mësuesja dhe nxënësit iu kanë pohuar se Leonardi nuk kishte shkuar në shkollë atë ditë. Mësohet se fëmijës i merret pak goja, por nuk ka probleme mendore. r.n