Laç, gjobë biznesmenit italian
KURBIN/ FATOS MAHMUTAJ
Gjobë 100 mijë euro biznesmenit italian, pranga dy policëve të burgut të Fushë-Krujës dhe bashkëpunëtorit të tyre nga Mamurrasi. Dy efektivët, Jetnor Dushaj 24 vjeç dhe Ermal Malaj 32 vjeç, si dhe shoku i tyre Sefer Dervishi 27 vjeç, akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer veprat penale të “shtrëngimit me anën e kanosjes për dhënien e pasurisë” dhe “konkurrencës së paligjshme nëpërmjet dhunës”. Nga hetimet paraprake në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kurbin, rezultoi se biznesmeni italian me inicialet E.P, i cili ushtronte një aktivitet privat të përpunimit të lëkurëve në Lezhë, është bërë objekt i një kërcënimi për t’iu dhënë të arrestuarve shumën prej 100 mijë eurosh. I pari, në prangat e policisë ka rënë Sefer Dervishi, administrator i firmës së denoncuesit. Më pas është arrestuar polici i grupit të gatshëm të burgut të Fushë-Krujës Jetnor Dushaj, lindur në Tropojë dhe banues në Fushë-Krujë. Po kështu në pranga është vënë edhe kolegu i tij Ermal Malaj, gjithashtu me origjinë nga Tropoja dhe banues në Kodër Kamëz, Tiranë, me detyrë punonjës policie në burgun e Fushë-Krujës. Detyra e tij në këtë burg ishte rojë në kullën pranë godinës. Burime nga burgu pohojnë se të dy të arrestuarit punonin në këtë institucion që prej momentit kur ai ishte hapur disa vite më parë dhe se gjatë kësaj kohe nuk kanë pasur precedentë penalë apo përfshirje në veprimtari të dyshimta. Policia pohoi se tre të arrestuarit i kishin kërkuar “gjobën” italianit, duke i premtuar mbylljen e një problemi me policinë, që në fakt nuk ekzistonte. Po kështu, këta persona, sipas policisë rezultojnë të jenë autorët e dyshuar të një ngjarjeje të ndodhur para pak ditësh, ku për motive konkurrence i kanë vendosur një sasi eksplozivi një tjetër biznesi në qytetin e Kavajës. Sipas prokurorisë, denoncimi është kryer tri ditë më parë, pasi italiani kishte ardhur të shihte punët, të cilat ia administronte në mirëbesim Sefer Dervishi. Madje ky i fundit, sipas burimeve kishte shumë kompetenca në firmën që menaxhonte italiani, aq sa ai mbahej edhe si pronar. Nga hetimet e kryera rezultoi se Dervishi, me ndihmën e dy efektivëve i kishte vendosur më 14 maj tritol një firme konkurrente në Kavajë, por lënda nuk kishte shpërthyer. Tritoli është vënë pa dijeninë e italianit, por në momentin që ai erdhi në Shqipëri, Dervishi ka shkuar bashkë me Dushajn (me uniformë policie) në hotelin ku ai rrinte në Laç. Aty ai i ka vënë në dijeni ngjarjen e tritolit, si dhe “dyshimin” e policisë se autor ishte shtetasi italian. Ata i kërkuan 100 mijë euro për ta mbyllur çështjen. Por ai iu drejtua policisë, e cila arriti t’i prangoste ata kur ishin nisur për të marrë paratë.
Të ndaluarit
Sefer Dervishi, administrator i firmës
Jetnor Dushaj, punonjës policie në burgun e Fushë-Krujës
Ermal Malaj, punonjës policie në burgun e Fushë-Krujës