Sarandë, policia me efektivë shtesë për sezonin turistik
SARANDE - Policia e Sarandës ka marrë të gjitha masat e nevojshme për një sezon veror turistik të qetë dhe pa probleme. Nën vëzhgim do të jenë përgjatë sezonit, por edhe në vazhdimësi, gjithë personat me precedentë penalë. Janë ngritur grupe postblloqesh me shërbime 24-orëshe, me inspektorë të policisë së rendit dhe atyre të qarkullimit rrugor, në qytezën e Ksamilit dhe në zonën Lukovë - Borsh. Shefi i Komisariatit Sarandë, Besim Palamani, u shpreh se janë hartuar disa plane masash, me qëllim parandalimin dhe rritjen e sigurisë në rrugë dhe vendet e pushimit. “Këto masa i kemi marrë në bashkëpunim me policinë kufitare e pushtetit vendor, meqenëse në sezonin turistik kemi shtim të numrit të popullsisë, por edhe të mjeteve të qarkullimit. Vëmendja është përqendruar kryesisht në qytetin e Sarandës, Ksamil e zonën e Borshit”, u shpreh Palamani, sipas të cilit po punohet për të grumbulluar çdo informacion për të parandaluar veprimtaritë kriminale. Një nga detyrat kryesore është evidentimi i elementëve kontingjentë të qytetit të Sarandës dhe ata shëtitës që mund të shfrytëzojnë këtë periudhë turistike për vepra të ndryshme penale, kryesisht atë të vjedhjeve ose shpërndarjes së drogës e të trafiqeve të paligjshme. “Detyrë tjetër është menaxhimi i trafikut rrugor në qytet dhe akset rrugore, më qëllim parandalimin e aksidenteve dhe sistemimin e mjeteve, parkimeve. Saranda ka probleme me vendparkimet, çka na imponon për të bërë disa lëshime në këtë periudhë, duke caktuar zona për qëndrimin e mjeteve. Do të shtohet numri i patrullave të qarkullimit rrugor, sidomos në aksin rrugor Kanali i çukës – Ksamil, ku njëkohësisht kryhen edhe punime për sistemimin e rrugës. Shërbime të policisë rrugore do të ketë edhe në zonën Lukovë–Borsh si zonë turistike”, pohon komisari i Sarandës. Përgjatë sezonit, efektivët e Sarandës do të mbështeten dhe nga kolegët e tyre nga Gjirokastra, Tepelena, Fieri etj. sh.d