E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sarandë, shpërtheu granatën në dorë, arrestohet

Arrestohet nga policia e Sarandës 40 vjeçari që shkaktoi shpërthimin e një granate mbrëmjen e së enjtes ku mbeti edhe vetë i gjymtuar. Po ashtu policia ka arrestuar edhe personin që i ka siguruar lëndën plasëse. 

SARANDË - Ka tentuar që të hakmerret ndaj pronarit që nuk i jepte rrogën duke e kërcënuar me një granatë në dorë, por ka përfunduar i gjymtuar pasi granata i ka shpërthyer në dorë. Një ditë më pas arrestohet nga policia bashkë me personin që i siguroi sasinë e eksplozivit në duar. Ngjarja që alarmoi qytetarët e Sarandës ka ndodhur në orët e vona të së enjtes, kur një 40 vjeçar nga Elbasani i punësuar si çoban në fshatrat e Sarandës ka vrapuar drejt Sheshit të autobusëve në qendër të qytetit me granatën në dorë ku tentonte t’ia hidhte atë pronarit që e kishte punësuar por që nuk e kishte paguar prej muajsh. Por pikërisht në këto momente 40 vjeçarit, Xhevahir Hysa, i ka shpërthyer granata në dorën e djathtë.
Policia ka rrethuar menjëherë vendin e ngjarjes ndërsa shpërthimi ka qenë i fuqishëm duke terrorizuar banorët e qytetit bregdetar. Viktima është dërguar në spitalin e Sarandës, ku mësohet se mjekët nuk kanë mundur t’ia shpëtojnë dorën e djathtë. Në momentin e shpërthimit pranë vendit të ngjarjes ndodheshin mjaft njerëz që prisnin të udhëtonin në linjën Sarande-Tiranë.
Policia mësohet të ketë shoqëruar ish-punëdhënësin e 40 vjeçarit për të mësuar më shumë rreth konfliktit mes tyre. Ndërsa sot është arrestuar bashkë me 40 vjeçarin edhe Kristo Dimertiko, sarandioti që i dha granatën Xhevahir Hysës. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Dimertkos janë gjetur një kallashnikov, me 5 krehër, fishekë të shumtë, fitila dhe një sasi e madhe lëndësh plasëse. Po ashtu iu gjet edhe një armë gjahu të cilën Dimertiko e kishte me leje.
(a.s/News24/Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›