E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sarandë, vjedhjet mbysin gjykatën

Analiza

Ngarkesë më të madhe pune ka shkarkuar në stafet e gjyqtarëve të Sarandës viti i kaluar. Kjo, sipas kryetarit të kësaj gjykate, Alltun çela, ka ardhur pasi në rritje kanë qenë edhe konfliktet, si dhe çështjet penale që kanë përfunduar në sallën e gjyqit. Dy nga problemet më të hasura të krimit kanë qenë vjedhjet dhe kalimi i paligjshëm i kufirit. Kryetari i Gjykatës së Shkallës së Parë të Sarandës dallon si veçori të një viti pune në fushën e gjyqësorit rritjen e shpejtësisë së gjykimit dhe standardin e tij. Referuar bilancit të punës së një viti më parë, ai thotë se me objekt veprën e mprehtë të vjedhjes janë gjykuar 27 çështje penale dhe 28 të tilla për kalim të paligjshëm të kufirit, të lidhura të dyja këto vepra me specifikën e Sarandës si vend kufitar e transit. Ndër çështjet civile të përfunduara në dyert e gjykatës zotërojnë ato të pronësisë, të vjetërsisë në punë, si dhe çështjet familjare. Në panoramën e aktivitetit gjyqësor, për vitin 2009 në Gjykatën e Sarandës përmenden 65 vendime me masë sigurie “arrest në burg”, nga të cilat vetëm 11 kanë qenë për “arrest në shtëpi” e gjashtë me detyrim paraqitjeje. Për çelën kjo do të thotë se politika e dënimit ka qenë e ashpër ndaj veprave penale që janë gjykuar, e vlerësuar kjo edhe për efektet parandaluese që ka dhënë. Sa i takon standardit të gjykimit, si matës i tij përmendet fakti që gjykata në nivel të dytë e Apelit në Gjirokastër, gjatë vitit 2009 ka lënë në fuqi vendimet e marra nga Gjykata e Sarandës për 50% më shumë çështje se dy vite më parë. Përmirësime të rëndësishme shënoi viti i kaluar në veprimtarinë e Gjykatës së Sarandës edhe për faktin që gjatë tij u krijua zyra e informacionit ku shërbehet falas, si dhe hapja e librit të ankesave e vërejtjeve të qytetarëve për stafin e gjyqtarëve për çështje në gjykim. Këto kanë vendosur një standard të ri, më transparent e komunikues me publikun.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›