Vjedh makinën luksoze për të shlyer borxhet
E vodha makinën për të shlyer borxhet që kam. Nuk kam mundur të gjej asnjë punë dhe nëse kthehem në shtëpi, më vrasin. Kështu është shprehur një 21-vjeçar, i cili është arrestuar nga policia e kryeqytetit për vjedhjen e një makine. Ai është pikasur pikërisht në Kamzë, ku fillimisht ka tentuar të arratiset me makinën e vjedhur, por kur ka parë një postbllok të armatosur, ka ndaluar dhe është vetëdorëzuar. Burimet nga Komisariati Nr.5, që mbulon zonën e Kamzës, bënë të ditur se personi i arrestuar është Gëzim Hallasi, 21 vjeç, nga Kukësi. Në orët e para të mëngjesit të djeshëm, ai kishte vjedhur një mjet “Mercedes Benz 250”, në zonën e ish-Bllokut. Menjëherë, duke përdorur rrugë dytësore, ishte nisur për ta çuar makinën në Kukës. Rrugës, në Kamzë, ai është përballur me forcat e policisë. Aty nuk ka ndaluar dhe ka tentuar të largohet, por shumë shpejt para tij është shfaqur një patrullë policie, e armatosur, kështu që nga frika ka ndaluar makinën dhe është vetëdorëzuar. Menjëherë ai është shoqëruar në polici, ku është marrë në pyetje. Në lidhje me vjedhjen e makinës, ai ka deklaruar se do e dërgonte në Kukës, me qëllim për ta shitur, pasi kishte shumë borxhe dhe nëse nuk i shlyente, do ta vrisnin. Gjithashtu është shprehur se kishte kërkuar punë dhe nuk kishte gjetur, prandaj vendosi të vidhte makinën. Policia dyshon se ai nuk ka qenë vetëm në vjedhjen e kësaj makine, kështu që ka nisur hetimin për identifikimin e bashkëpunëtorëve të 21-vjeçarit, që tashmë është arrestuar për vjedhje makinash.
#