E Diel, 1 Nëntor 2026

Bardhi: Mamurrasi po i afrohet kreut gradualisht

Nga Altin Preçi

Mamurrasi do të ndeshet me Kukësin debutues në fundjavë, në fushën e tij, ku pretendon të marrë pikë. Edhe pse ka fituar javën e fundit me Adën, një ekip vërtet i fortë, trajneri Sinan Bardhi kërkon më shumë nga të tijtë. Ekipit i janë kthyer lojtarët e dëmtuar dhe, duke gjykuar nga ndeshja me Adën, besoj se Mamurrasi do të përmirësohet edhe në ato reparte, ku nuk ka funksionur deri tani.

Humbasim shumë raste për shënim dhe kjo u pa edhe me Adën. Në disa raste futbollistët nuk arritën të finalizonin, sepse kalonin në lojë individuale, që nuk duhet të ekzistojë në ekipin tonë. Është e qartë se forca qëndron te grupi. Megjithatë, fitorja ishte e merituar, pavarësisht se kur e shënuam golin. Tripikëshi i marrë javën e fundit është një shtysë e fortë për ne dhe unë pres më shumë nga Mamurrasi.

Ne synojmë të jemi në radhët e ekipeve që kryesojnë tabelën dhe që pretendojnë superligën. Në janar sigurisht që do të bëjmë merkato për të pasur një ekip sa më të fortë. Madje që tani e kemi nisur gjuetinë. Mendoj se ekipi do të rritet nga ndeshja në ndeshje dhe do të tregojë se ka mundësi për të qenë mbi mesin e artë të klasifikimit.

Përpara kemi ndeshjen e vështirë në Kukës, por që besojmë se atje do të bëjmë lojën tonë dhe do të marrim pikë. Do të bëjmë të gjitha përpjekjet që fazën e parë ta mbyllim në një pozicion sa më afër kryesuesve, për të përmbysur gjithçka në fazën e dytë, ka theksuar mes të tjerash trajneri i Mamurrasit, Bardhi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›