E Diel, 1 Nëntor 2026

Viti i ri shkollor, ndryshim sistemi edhe për fëmijët në nevojë



Ndryshimi i sistemit arsimor nga tetë në nëntëvjeçar do të zbatohet edhe për fëmijët në nevojë, që trajtohen pranë qendrave të përkujdesit social. Ndërkohë që stafet e këtyre institucioneve po punojnë për t’i pajisur falas këta fëmijë me libra dhe pajisje të tjera shkollore. Drejtoresha e Shërbimit Social Shtetëror (SHSSH), Vilma Premti, pohon se institucioni që ajo drejton i ka të gjitha mundësitë materiale e financiare për t’i pajisur fëmijët me libra, veshje, çanta, kancelari dhe aksesorë të tjerë shkollorë. SHSSH-ja dhe Drejtoritë e Institucioneve të Përkujdesit Social, në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, kanë përfunduar përgatitjet për përcaktimin e planeve mësimore për fëmijët në nevojë. Drejtuesja e SHSSH-së, bën të ditur se janë drejt përfundimit përgatitjet për përcaktimin e planeve mësimore për fëmijët në nevojë. Ajo sqaron se janë pothuajse gati përgatitjet psikologjike dhe materiale për të përgatitur terrenin e nevojshëm në institucione, qoftë për fëmijët që hyjnë për herë të parë në shkollë, por dhe për ata që kalojnë nga njëra klasë në klasën tjetër më të lartë. Objektivat aktuale të drejtorive dhe stafeve profesionale dhe psikologjike të institucioneve është sigurimi i librave dhe aksesorëve të tjera të pajisjeve të nxënësve për në shkollë. Aktualisht, sipas Premtit, në shtëpitë e fëmijëve po punohet me stafet pedagogjike, në mënyrë që kujdestarët dhe mësuesit të përgatiten me planet e reja të punës me këta nxënës që fillojnë apo që vazhdojnë shkollën 9-vjeçare. Planet janë të diferencuara sipas grupeve moshore dhe nivelit të klasave të shkollimit individual. Në vendin tonë funksionojnë tre Shtëpi Fëmije të moshës 6-14 vjeç, që janë konkretisht në Tiranë, Shkodër dhe Sarandë. Këtë vit, rreth 115 fëmijë nga këto tre institucione do të vazhdojnë shkollën 9-vjeçare.

3 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›