E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bosnjë-Hercegovina, luftë e re në tetor?

Largimi i bashkësisë ndërkombëtare nga Bosnjë-Hercegovina (B-H) do të mund t‘i sjellë asaj mungesë stabiliteti dhe agoni, ndërsa nuk mund të përjashtohen, sado që duket e pamundur, edhe konfrontime të reja ushtarake në vend. Kjo është konsiderata e gazetës së njohur britanike "Sun" pas deklaratës së ditëve të fundit të Përfaqësuesit të Lartë të OKB-së në B-H, Valentin Incko, se ka shumë të ngjarë që zyra e tij ta ndërpresë veprimtarinë e vet në muajin tetor të vitit në vazhdim (2009). Gazeta në fjalë theksonte se mbyllja eventuale e Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë të OKB-së në B-H, në favor të së cilës është edhe vetë Incko, do të sjellë një paqartësi të madhe në skenën politike të B-H-së, ndërsa e konsideron atë (mbylljen eventuale) si një hap dramatik, të tillë që do ta komplikonte edhe më shumë situatën e tensionuar në vend. Kjo gazetë, në shkrimin me titull "Luftë e re në tetor?" e botuar këto ditë, shprehte frikën e skenarëve të mundshme në të zeza: "Çfarë do t‘i sjellë Bosnjë-Hercegovinës mbyllja e Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë të OKB-së? Shkurt ta themi - asgjë të mirë. Largimi i bashkësisë ndërkombëtare do të sjellë mungesë stabiliteti dhe agoni, ndërsa nuk mund të përjashtohen, sado që duket e pamundur, edhe konfrontime të reja ushtarake në vend. Sigurisht, ato nuk do të jenë masive, sepse do të kontrollohen nga qarqet politike në Sarajevë, Banja Luka dhe Mostar, si edhe nga qendra jozyrtare vendimmarrëse. Ato (konfrontimet) do të organizohen në mënyrë të tillë që bashkësisë ndërkombëtare t‘i tregohet edhe në praktikë se B-H-ja nuk mund të funksionojë si një shtet dhe se zgjidhja e vetme është ndarja e saj, më saktë shpërbërja e saj përfundimtare", vinte në dukje gazeta britanike e lartpërmendur, duke shtuar se, që ta vërtetojnë këtë konkluzion të tyre, për regjisorët e shpërbërjes së Bosnjë-Hercegovinës nuk do të ketë fare rëndësi sesa koka të vdekura do të bien!".

Gazeta "Sun", sidoqoftë, konstaton se paralajmërimi i Përfaqësuesit të Lartë të OKB-së në B-H, Valentin Incko, nuk është përfundimtar, sepse vendimin definitiv për ndërmarrjen e një hapi të tillë të madh duhet ta marrë Këshilli për Implementimin e Paqes. Por, megjithatë, nuk duhet të harrohet se Incko është një diplomat me përvojë dhe ka qenë ambasadori i parë i Austrisë në Bosnjë-Hercegovinën e saposhpallur e pavarur, kështu që, sikurse thekson gazeta "Sun", vështirë se ai do ta bënte një deklaratë të tillë pa u konsultuar paraprakisht me eprorët e tij!


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›