Sarkozi: Nënshkrimi i marrëveshjes së re buxhetore, në mars
Presidenti i Francës, Nikollas Sarkozi, ka bërë thirrje gjatë ditës së sotme që marrëveshja e re evropiane, me të cilën do të ashpërsohej disiplina buxhetore, të nënshkruhet nga vendet anëtare më 1 mars.
Gjatë konferencës për shtyp me kancelaren gjermane, Angela Merkel, në Berlin, Sarkozi tha se negociatat për marrëveshjen e re duhet të “përshpejtohen gjatë ditëve të ardhshme dhe të nënshkruhet më 1 mars”.
Të dy liderët, po ashtu, thanë se ata janë të përgatitur për të shpejtuar pagesat për fondin e përhershëm të shpëtimit të eurozonës 17 anëtarëshe, i njohur si Mekanizmi Evropian i Stabilitetit.
Më herët, gjatë një takimi të mbajtur së fundmi, u diskutua lidhur me zbatimin e marrëveshjes ndërshtetërore të iniciuar nga të dyja vendet për më tepër disiplinë fiskale. Për krijimin e një të ashtuajturi union fiskal kishin rënë dakord në dhjetor 23 nga 27 vendet anëtare të BE-së, pasi një zgjidhje e përbashkët kishte dështuar me veton e Britanisë së Madhe. Kriza financiare private dhe krizat shtetërore të borxheve kanë bërë që vendet e eurozonës të kenë mosmarrëveshje të mëdha me njera-tjetrën.