E Diel, 1 Nëntor 2026

Sërish tërmet Lëkundjet kanë qenë me një magnitudë 4.7 ballë të shkallës Rihter

Autori i Lajmit: RedaksiaInstituti Gjeofizik Amerikan ka regjistruar dje një tjetër tërmet në rajonin e Haitit. Lëkundjet kanë qenë me një magnitudë 4.7 ballë të shkallës Rihter. Epiqendra e tërmetit ndodhet në një zonë rreth 50 kilometra nga kryeqyteti Port-au-Prince, në një thellësi prej 10 kilometrash. Mijëra njerëz në Haiti kanë kaluar natën e dytë jashtë, larg ndërtesave, nga frika e lëkundjeve të tjera pas tërmetit që shkatërroi pjesë të mëdha të vendit të martën. Korrespondentë të BBC-së në kryeqytet thanë se gjatë natës dëgjoheshin njerëz që qanin dhe luteshin. Shumë ndihen të frikësuar dhe të vetmuar. Ata gjithashtu, përshkruan fëmijë që flinin në mes trupave të vdekur në ambientet e një spitali. Të tjerë thonë se shumë rrugë janë të mbushura me kufoma të mbuluara me batanije të bardha. Ndërkohë selia e OKB në Haiti është dëmtuar shumë rëndë nga tërmeti. Shefi i saj z. Anabi dhe shumë pjesëtarë të stafit rezultojnë të humbur. Brazili dhe Jordania kanë njoftuar se kanë humbur ushtarë paqeruajtës. Kina tha se shumë nga forcat e saj janë nën rrënoja. Ndër personat që kanë dhënë ndihmesën e tyre për viktimat e prekura nga ky tërmet apokaliptik kanë qenë dhe aktorët Brad Pitt e Angelina Jolie. Ata kanë dhuruar 1 milion dollarë për “Mjekët pa kufij”. “Është e tmerrshme të shikosh një katastrofë të të tilla dimensioneve të godasë një popull që prej vitesh vuan nga varfëria ekstreme, dhuna dhe shkatërrimet”, - u shpreh Jolie. “Reagimi i parë është thelbësor për të përballuar nevojat imediate të një numri të paparë personash që kanë nevojë për asistencë urgjente”, - ka shtuar Pitt. Ndërkohë, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, ka marrë në telefon Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun, për të kordinuar ndihmat në Haiti, ndërsa në vend mbërritën ndihmat e para. Presidenti ka telefonuar edhe homologun e tij brazilian, Lula, Kryeministrin kanadez Stephen Harper, Presidentin e Meksikës, Felipe Calderon, atë të Kilit, Michelle Bachelet, dhe ambasadorin amerikan në Haiti, Ken Merten. Me të gjithë liderët, kreu i Shtëpisë së Bardhë ka nënvizuar rëndësinë për të vepruar me shpejtësi dhe në mënyre të koordinuar.
Ky lajm është publikuar: 15/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›