Haiti, gdhihet i tmerruar, dyshohen 100 mijë të vdekur
Autori i Lajmit: RedaksiaPort-au-Prince - Bilanci i të vdekurve nga tërmeti në Haiti mund të shkojë në rreth 100 mijë, ndërkohë që shumë vende kanë filluar të dërgojnë ndihmat e para. Haitianët e tronditur po gërmojnë nën rrënoja në kryeqytetin Port-au-Prince, ku një numër i pallogaritshëm njerëzish kanë vdekur ose janë të pastrehë pas një tërmeti me magnitudë 7 ballë që e ktheu pjesën më të madhe të qytetit në gërmadhë. Rrugët janë kthyer në morgje të improvizuara që nga tërmeti i të martës. Të mbijetuarit e pikëlluar kanë vendosur nëpër rrugë trupat e nxjerrë, ndërsa njerëzit që janë ende të bllokuar thërrasin për ndihmë. Kryeministri Jean-Max Bellerive i tha CNN-it dje se beson se më shumë se 100 mijë njerëz mund të kenë vdekur. Por presidenti i Haitit, Rene Preval, i tha këtij rrjeti se është shumë shpejt për të dhënë një numër të saktë të viktimave. Udhëheqësi haitian bëri thirrje për mjekë dhe ndihmë mjekësore në përgjithësi. Pallati kombëtar, së bashku me spitalin kryesor të kryeqytetit, një burg dhe selinë e misionit të Kombeve të Bashkuara janë mes mijëra strukturave që janë rrëzuar, duke treguar se numri i viktimave duhet të marrë disa javë për tu llogaritur.
Ky lajm është publikuar: 15/01/2010