E Diel, 1 Nëntor 2026

Sarkozi, "gjahu" i preferuar i satiristëve

Fillimisht dha material të bollshëm për mediat me divorcin, martesën e menjëhershme dhe jahtet prej miliona dollarësh. Pastaj vazhduan orët "Rolex", vrapi i mëngjesit dhe "Karla-mania". Tani satiristët po vërejnë me kënaqësi se Presidenti Sarkozi nuk i lë thuajse asnjëherë pa motive për t‘u marrë me të.

Një legjion i tërë komikësh francezë, të ringjallur së fundmi, kanë zbuluar se rruga më e mirë për të përballuar një problem siç është presidenca Sarkozi, është ta trajtosh si shaka. Me lapsat e mprehur e fytet e kruara, po shtrojnë rrugën për rikthimin e satirës popullore mbi politikën.

"Satira është kthyer në skenë. Humbi në masë shumë të madhe gjatë viteve tetëdhjetë. Komedianët që përqendroheshin te politika, ishin jashtë skene që prej njëzetë vjetësh, thotë komiku Stafan Gujon. Por tani, me krizën financiare dhe Sarkozinë, ne komedianët po punojmë si kurrë gjatë viteve të mëparshme".

Radio ka marrë përsipër të bëhet avangarda e revolucionit komik. Gujon, i cili me komentet e tij shpërthyese politike (zgjasin vetëm katër minuta) ngul pranë radiove 2 milionë njerëz në stacionin radiofonik publik, "France Inter", është më i suksesshmi mes një grupi drejtuesish emisionesh radiofonike, të cilët kanë vendosur të kapen pas sfidave që paraqet epoka e Sarkozisë.

Nga imituesit, te shkruesit e skeçeve radiofonike, komedianët e orëve të mëngjesit, si Loren Gerra, Nikolas Kantelup e Didier Porte, u janë qepur bëmave të Presidentit, ashtu si edhe gjithë administratës së tij, duke tërhequr gjithnjë e më shumë njerëz në valët e radiove. Të dhënat e publikuara muajin e shkuar për trendet e dëgjuesve, treguan se gjatë katër muajve të fundit këto lloj emisionesh kanë tërhequr më shumë se gjysmë milioni dëgjues të rinj. Gujon, i cili pranon se i ka politizuar qëllimisht tekstet e veta gjatë këtyre dy viteve të fundit, thotë se Sarkozi mund të ketë bërë gjithçka tjetër në Francë, por ama e ka kthyer satirën në lartësinë e duhur, në ballë të raportimit komik.

Ashtu si amerikanët nën Presidentin Xhorxh Bush, britanikët nën Kryeministren Margaret Theçer, apo italianët nën Silvio Berluskonin, dalja në skenë e Sarkozisë në Francë i ka bërë njerëzit t‘i drejtohen ironisë për të shprehur pakënaqësitë e shumta. Axhendat agresive djathtas, të drejtuara nga figura me profil të lartë, ofrojnë material të bollshëm për komikët. Ndodh i njëjti fenomen me të gjithë njerëzit e kësaj kategorie, të cilët gjatë gjithë kohës provokojnë kundërshti të forta, thotë Gujon. "Ne kemi Sarkozinë, politikat e së cilit anojnë shumë nga e djathta, dhe që është bërë sinonim i dëshirës për të shtënë në dorë sa më shumë pushtet. Kundër tij gjendet një opozitë, liderët e së cilës janë shumë të zënë në luftën kundër njëri-tjetrit. Kështu që jemi praktikisht përtokë".

Për votuesit e majtë francezë, situata nuk është aspak për të qeshur. Jo vetëm që nuk kanë siguri për vendet e punës dhe u ka rënë fuqia blerëse si rezultat i krizës financiare, por ndihen edhe më të nervozuar nga një njeri që me reformat liberale djathtas e me stilin e pazakontë të jetesës, përfaqëson gjithçka që ata urrejnë.

Satiristët dhe karikaturistët nxituan të eksplorojnë potencialet komike të një Presidenti, i cili në mes të krizës ekonomike shfaqet kudo me një stil jetese tepër ekstravagant, përkrah së shoqes ish-supermodele e këngëtare, Karla Bruni. Muajin e shkuar- teksa më shumë se 1 milion njerëz dolën rrugëve për të protestuar -zemërimi i francezëve u shfaq në atë që prej sindikatave u konsiderua demonstrimi më i madh që prej 20 vjetësh.

"Tani nuk ka javë që njerëzit të mos dalin e të protestojnë për diçka", thotë Gujon. Në një klimë tensionesh e vështirësish ekonomike, vëren komiku, nuk është çudi që ky zhanër po lulëzon. Për ta shpjeguar konceptin, bazohet edhe te një frazë e Figaros, karakterit satirik më të madh në Francë: "E detyroj veten të qesh, për të mos ia plasur të qarit".

Dhe këta komikë janë tepër seriozë, madje të pamëshirshëm, ndërsa trajtojnë si barsoleta bëmat e politikanëve të tyre. Javën e shkuar, Gujon "ia nguli thikën" Bernard Kushnerit, ministrit të Jashtëm, njëherësh ikonë e aktivitetit humanitar. Pak më parë ishte marrë gjerë e gjatë me Martin Ubrin, liderin socialist, ashtu si dhe Rashida Dadin, që u bë subjekt imitimesh për artistin Lorent Gerra.

Por, megjithëse politika bashkëkohore franceze ofron figura që mund të satirizohen me lehtësi, është veçanërisht njëri, që yjet e rinj të radios e pëlqejnë më shumë se të tjerët. Me lidershipin autoritar populist, shijet e kushtueshme dhe aventurat e dashurisë, Sarkozi përkufizohet si njeriu i ëndrrave për satiristët. Me politikat e tij të shumëpërfolura e me karakterin e rrallë, i furnizon me më shumë material nga sa mund të përpunojnë. Kritikat e tyre bëhen edhe më pikante nga një prej trajtave më të spikatura të karakterit të Presidentit: Sarkozi njihet si njeri që nuk i përtyp dot batutat kundër tij. Vitin që shkoi, urdhëroi heqjen nga dyqanet të kukullës "vudu Sarkozi", duke këmbëngulur se bëhej fjalë për një sulm të drejtpërdrejtë ndaj imazhit të tij personal.

Por këta komikë vërejnë se, ndërsa nuk i rezistojnë dot joshjesh për t‘u marrë me të, karakteri i Presidentit i bën edhe të ndjejnë shumë frikë. "Duhet pasur frikë që ç‘ke me të. Censurimi është gjithandej", tha para pak ditësh Gui Bedos për gazetën "Le Nouvel Observateur".

Batutat

Stefan Gujon, për "kompleksin Obama të Sarkozisë"

"Është më se e kuptueshme. Për muaj të tërë Sarkozi ishte numri një i Evropës, madje edhe i botës, dhe tani është i detyruar të jetë veç President i Francës... Pas gjashtë muajsh në skenën ndërkombëtare, duke dhënë zgjidhje për Kaukazin apo Lindjen e Mesme, tani është i detyruar të merret me problemet tona të vogla, papunësinë dhe sigurinë shoqërore. Të krijohet ndjesia se vërtet po e bezdisim".

Didier Porte, mbi gazetarët që zgjedh Sarkozi për t‘u dhënë intervista

"Ju thoni se zgjedhja e tij nuk është as racionale e as transparente. Përkundrazi, nëse kreu i shtetit zgjodhi David Pujadas (gazetar me shtat shumë të shkurtër), ndodhi pasi e dinte që së paku nuk do ta shihte nga lart-poshtë".

Stefan Gujon, për ministrin e Jashtëm Bernard Kushner

"Çfarë bëri me thasët e orizit në Mogadishu, pasi u fikën kamerat e gazetarët u larguan? Ia bëri shenjë Kristinë Okrent (bashkëshortes së tij) të afrohej dhe i tha: ‘Merri me vete në shtëpi. Është lloj shumë i mirë orizi! Vlen një thes me para‘".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›