E Diel, 1 Nëntor 2026

Norman H. Greshman: Kjo është "besa" e shqiptarëve

Petraq Xhimitkiu është trashëgimtar i Xhimtkiut, fotografit të njohur beratas. Ai vazhdon të ecë në të njëjtat gjurmë e të ndjekë fotografinë, si pjesë e trashëgimisë së familjes së tij. Por sot, nuk flitet për Petraqin një prej trashëgimtarëve të artit të fotografisë, edhe pse fotografia, këtu mban vendin e nderit. Kësaj here, ai ndodhet në anën tjetër të aparatit, është i fotografuari. Është pjesë e fotoreportazhit të fotografit amerikan Norman H. Greshman. Dëshmitar, rrëfimtar... Njësoj si shumë të tjerë, Xhimtkiu sjell historinë e familjes së tij, kujton pse dhe si kjo familje pranoi të mbante në gjirin e saj, në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, hebrenjtë. "Ata visheshin si shqiptarë, punonin dhe shkolloheshin njësoj si ne. Para se të largoheshin, çdo mëngjes ne kontrollonim lagjen nga frika e patrullave gjermane", kujton ai. "Për gjashtë muaj, në vitin 1943, ne e ndamë shtëpinë tonë me familjen Solomon: David dhe Esther Solomon me fëmijët e tyre, Matilda e Memo. Tani, Memo është një mësues muzike në Beersheba, Izrael. Ndërsa Matilda është një grua biznesmene, gjithashtu në Izrael". Kjo është një dëshmi që vjen prej familjes Kazazi, një tregim i cili thotë se miqësia mes familjes shqiptare e asaj herbenje, është ruajtur edhe në ditët tona. "Ishte viti 1944. Një miku ynë na kërkoi të strehonim një hebre të moshuar nga Polonia. Quhej Lev Djienciolski. Përse të mos e strehonim? Bashkëshorti im, Besimi, ishte një fizikan i shkëlqyer. Ai punonte në spital. Unë kuptova se zoti Djienciolski mund të shikonte vetëm prej njërit sy, ndaj bashkëshorti im ia fashoi fytyrën dhe ne e fshehëm në klinikë. Nazistët nuk na shqetësuan. Unë vazhdoj të jetoj në të njëjtin apartament. Jam artiste. Përse e fshehëm një hebre? Nuk e di, di vetëm që e bëmë dhe se ishte gjëja e duhur. Pastaj mysafiri ynë hebre, ishte mik i mikut tonë. Po, ne jemi myslimanë, por myslimanë laikë", kështu shprehet Meti Zyma.

E të tilla kujtime e dëshmi ka shumë në reportazhin fotografik të Greshmanit. Janë një rrëfim mes shkrepjesh e vështrimesh të sinqerta. Në kërkim të tyre ishte pesë vite më parë fotografi Norman H. Greshman, jeta e të cilit ndryshoi kur ai vendosi të bënte një kërkim mbi njerëzit që ndihmuan e rrezikuan jetët e tyre për të shpëtuar hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Nderimi që ai mund t‘u bënte atyre ishte nëpërmjet fotografimit dhe përmbledhjes në pak fjalë të historisë së gjithsecilit. Kështu i lindi ideja për të fotografuar, e për të sjellë një fotoreportazh, në qendër të të cilit do të ishin myslimanët e Shqipërisë, të cilët së bashku me familjet e tyre e ndonjëherë bashkë me të gjithë të njohurit, shpëtuan hebrenjtë, të cilët erdhën e gjetën shpëtim në Shqipëri. Fotografi amerikan, tashmë, ka shëtitur mjaft me portretet e myslimanëve shqiptarë, të cilët shpëtuan hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Personazhet e fotografit amerikan Norman H. Greshman janë të ndryshëm, jo vetëm sepse e tillë është ndërtuar qenia njerëzore, por edhe sa i përket profesioneve apo shtresës sociale së cilës ata i përkasin. Aty i gjen të gjithë. E megjithatë kanë një pikë të përbashkët. Mikpritjen dhe kodin e besës. Për të gjithë shqiptarët, arsyeja është në thelb e njëjta: i pritën hebrenjtë, pavarësisht ndonjë rreziku personal, sepse për shqiptarët, është e rëndësishme mikpritja. Ne shumë mirë e dimë se për këtë të fundit, është folur shumë, e po kaq vazhdon të flitet ende. Në fotoreportazhin e Greshmanit, shqiptarët janë dëshmitarët e gjallë e një historie sa interesante po aq edhe të veçantë e guximtare. Secili prej dëshmitarëve rrëfen njëkohësisht edhe historitë personale. Sjell kujtime, përjetime...

Besa, një prej virtyteve të kombit shqiptar, do të jetë në qendër të fotografit amerikan Norman H. Greshman, në ekspozitën e cila do të çelet më 10 shkurt në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Ajo mban titullin "Besa: Shqiptarët të cilët shpëtuan hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore". Kjo ekspozitë është organizuar nga ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë dhe Galeria Kombëtare e Arteve. Vetë fotografi amerikan, i cili i ka kushtuar një vëmendje të veçantë ekspozitës, do të jetë i pranishëm ditën kur ajo do t‘i prezantohet për të parën herë edhe publikut shqiptar. Është menduar që ajo të qëndrojë e çelur deri më 17 shkurt. Galeria e fotografive të Greshman do t‘i prezantohet më pas edhe publikut të Durrësit e Beratit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›