E Diel, 1 Nëntor 2026

Artur Muharremi, një rrëfim me "Kompozime"

Në galerinë "Mezuraj Muze", piktori Artur Muharremi ka ekspozuar punimet e tij me titull "Kompozime", ku mendimi i tij filozofik mishërohet në pikturat në vaj, kanavacë, vaj në akrelik, tempera dhe teknikës së përzier. Krijimtaria e Artur Muharremit realizohet në periudhën përpara ndryshimeve politike demokratike të shoqërisë shqiptare, në fundin e viteve ‘90. Ai mbaroi studimet e larta për skenografi. Më 1991, çel në Galerinë Kombëtare të Arteve ekspozitën e parë vetjake. Në veprat e paraqitura në të mbizotëronte atmosfera metafizike dhe zbrazëtia si reflektim i situatës politike-sociale shqiptare. Pas kësaj, piktori emigroi në Greqi, ku realizoi vepra të ndryshme në gjininë e nudos, peizazhit e të kompozimit, të cilat i ekspozoi më vonë në Shqipëri, në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, në ekspozitën e dytë vetjake (1996). Artur Muharremi është një piktor me një krijimtari të gjerë e të rëndësishme për artin bashkëkohor shqiptar. Tablotë e tij, të realizuara në formën e cikleve piktorike, janë mjaft interesante për konceptimin filozofik të jetës dhe të fenomeneve të saj. Ai është një piktor alegorik dhe shumë i përpiktë në realizimin e saktë të çdo detaji të tablove të tij. Pikturat e tij kanë kaluar faza të ndryshme zhvillimi dhe konsolidimi, deri sa ai ia ka dalë të formohet si individualitet artistik i veçantë, që shpalos përpara publikut mesazhe të shumta artistike me anë të përdorimit të teknikave bashkëkohore të pikturimit dhe të mjeteve komunikuese figurative. Ndër ciklet kryesore të Artur Muharremit veçohen "Muzikantet", "Nudot", "Natyrat e qeta", "Mitet dhe legjendat" dhe "Jeta e rrugës". Penelatat e tablove të piktorit Muharremi janë ekspresive dhe krijojnë imazhe me gjallëri shpirtërore, që herë- herë kalojnë në gama të ngrohta, ku drita ndihmon në "leximin" e formave të buta të personazheve të tij monumentale, e herë-herë në gama piktorike "të ftohta", ku magjia e ngjyrave arrin të mjegullojë shikimin e spektatorit dhe ta zhytë në mendime të thella. Cikli i nudove mbetet më i gjëri i piktorit Muharremi, i cili vazhdon të jetë ende i joshur prej tyre. Ai numëron mbi 1000 tablo. Veprat e tij bëjnë pjesë në fondin e GKA, Tiranë, në fondin e "Mezuraj Muze", si dhe në koleksione private brenda dhe jashtë Shqipërisë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›