E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sarkozi niset në Shtetet e Bashkuara: Lum Evropa që më ka

Presidenti francez, Sarkozi,
në mandatin e kreut të BEsë,
ka fluturuar dje drejt
Uashingtonit për një takim me
Presidentin amerikan, Bush, në
lidhje me atë që ai e quan lidershipi
evropian ndaj krizës financiare.
Sarkozi u tha këshilltarëve të
afërt dhe ministrave të tij se ai do
të shkonte të përfaqësonte
Evropën në Shtetet e Bashkuara në
lidhje me lidershipin që ajo duhet
të merrte në lidhje me ripërcaktimin
e rregullave të financës
ndërkombëtare. "Ai po shkon që t‘u
bëjë të ditur amerikanëve që të
konsiderojnë shumë seriozisht rolin
e Evropës në këtë krizë", ka deklaruar
një nga ndihmësit e tij të
afërt. Njëherazi, Sarkozi është angazhuar
në përpjekjen e koordinimit
të kundërpërgjigjes se
vendeve të BE-së ndaj krizës
ekonomike, madje duke u bërë të
ditur aleatëve të tij se ata "janë me
fat që kanë Francën në krye të presidencës
evropiane në këtë periudhë
të vështirë. "Eshtë një moment
historik dhe në këtë moment
do të duket se Evropa performoi
më mirë se Shtetet e Bashkuara në
lidhje me kundërpërgjigjen ndaj
krizës së rëndë ekonomike, madje
më mirë se vetë plani i shefit amerikan
të thesarit, Poulson", deklaroi
Sarkozi në një mbledhje të partisë
së tij, para se të nisej për në Shtetet
e Bashkuara të Amerikës. "Unë jam
mishërimi i vullnetit evropian për
të vepruar së bashku". Duket se
Presidenti francez është shumë i
kënaqur në radhë të parë me performancën
e tij, pasi si asnjëherë
tjetër e konsideron veten unik dhe
të pakrahasueshëm. Kjo duket
edhe në shprehjen që tha në të
njëjtën mbledhje se "Evropa, pa
mua, do të kishte qenë në një
rrëmujë të madhe. Për fat, unë jam
Presidenti i saj në këto kohë të
vështira". Sipas të përditshmes
franceze, "Le Figaro", Sarkozi nuk
ka pranuar aspak rolin e rëndësishëm
të Kryeministrit britanik,
Gordon Broun, në marrjen e
masave ndaj krizës. Plani i Britanisë
doli i suksesshëm dhe u imitua
edhe nga vetë evropianët, por
për Sarkozinë është ai, dhe vetëm
ai, që, sipas fjalëve të cituara, "krijoi
planin britanik". Në udhëtimin
e tij përtej Atlantikut, Sarkozi shoqërohet
edhe nga kreu i Komisionit
Evropian, Barroso. Ndër të
tjera, liderët do të diskutojnë dhe
në lidhje me takimin vendeve të
G8 të parashikuar në nëntor, në të
cilin mund të përfshihen edhe
vende që janë shndërruar në faktorë
të rëndësishëm në ekonominë
botërore si Kina, India apo
ndonjë vend tjetër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›