“Vjeshta, afati i miratimit të kërkesës si vend kandidat”
Garanton Ministri i Jashtëm i BE, Karl Bildt
Ministri i Jashtëm i BE, Karl Bildt ka deklaruar më herët se mbyllja e procesit të zgjedhjeve do të përkojë me shqyrtimin e kërkesës së Shqipërisë, për statusin kandidat. Periudha e vjeshtës është cilësuar nga kancelaritë perëndimore, si momenti i përshtatshëm për të marrë vendimin për statusin kandidat të Shqipërisë.
TIRANE – Komisioni Evropian pritet të miratojë së shpejti kërkesën zyrtare të Qeverisë së Shqipërisë, për marrjen e statusit kandidat. Kërkesa e dorëzuar më 28 prill 2009, nga kryeministri Sali Berisha në Pragë të Çekisë, u vlerësua nga Presidenti i atëhershëm i Këshillit të Komisionit Evropian, Mirel Topolanek, si një hap i guximshëm i Tiranës zyrtare në rrugën drejt integrimit në BE.
Presidenca çeke shprehu gatishmërinë e saj për të bashkëpunuar me Tiranën zyrtare, ndërkohë që dha të gjitha garancitë se dhe presidenca pasardhëse, pra ajo Suedeze që udhëheq aktualisht BE-në, do të ketë gati të gjitha procedurat dhe formulimet e nevojshme të objektivave realiste të Shqipërisë.
Ministri i Jashtëm suedez Karl Bildt, vendi i të cilit udhëheq presidencën e radhës të BE-së, është shprehur më herët se kërkesa e Shqipërisë për në BE shqyrtohet në vjeshtë, periudhë kjo që përkon me mbylljen përfundimtare të procesit zgjedhor. “Bashkimi Evropian do të marrë në konsideratë kërkesën e Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat në BE vetëm në vjeshtë, pasi të jetë mbyllur procesi zgjedhor”, ka bërë të ditur Bildt.
Pra, periudha e vjeshtës, dhe duke nisur nga mbyllja e procesit zgjedhor, formimi i qeverisë së re, ndërkohë që pritet të publikohet raporti i OSBE/ODIHR, për këto zgjedhjeve, do të jetë vendimtare për të ardhmen e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.