Në 11-vjetorin e vrasjes së tij

Përkujtohet Heroi i Demokracisë, Azem Hajdari - Drejtues të PD, homazhe tek memoriali dhe vizita në familjen e Pishtarit të Demokracisë
TIRANE – Figura dhe roli i Azem Hajdarit në funksion të demokracisë janë vlerësuar lart në ditën e 11 vjetorit të vrasjes së tij. Krerët më të lartë të selisë së PD-së, familja Hajdari si dhe shumë miq dhe simpatizantë të “Heroit të Demokracisë” kanë bërë homazhe pranë memorialit ku 11 vjet më parë u vra deputeti Azem Hajdari dhe truproja e tij Besim Cerja. Kështu kreu i shtetit, Bamir Topi, kryeparlamentarja, Jozefina Topalli, ministri i Financave, Ridvan Bode kanë qenë pranë familjes në këto momenet të vështira. Kreu i shtetit, Topi tha se Azemi ishte një njeri i nderuar dhe askush nuk mund të flasë me hipokrizi për të. Dy nënkryetarët e Partisë Demokratike Ridvan Bode dhe Jozefina Topalli duke e cilësuar Hajdarin si zërin e së vërtetës, kanë vlerësuar rolin që ai pati në pluralizmin politik. Më pas, si çdo vit, drejtues të lartë të Partisë Demokratike kanë vizituar familjen Hajdari për të përkujtuar, kujtimin e Heroit të Demokracisë. Nuk ka munguar as Presidenti Bamir Topi, i cili ka qenë i shoqëruar në makinën e tij presidenciale dhe nga ish-deputeti Besnik Mustafaj. Deputet në të gjitha legjislaturat e PD-së, Azem Hajdari u qëllua në afërsi të selisë së PD-së nga një grup i armatosur. Pas kaq kohësh, ngjarja e rëndë kujtohet pothuajse çdo vit, ndërkohë që drejtësia e ka thënë fjalën e saj nëpërmjet vendimeve që kanë dhënë gjykatat e të gjitha shkallëve, ndaj disa prej autorëve dhe organizatorëve. Topalli: Hajdari, modeli i politikanit të ri të guximshëm, për të mbrojtur atë që beson/Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli bëri dje homazhe në memorialin e Heroit të Demokracisë, liderit të lëvizjes studentore, deputetit Azem Hajdari, në përkujtim të përvjetorit të ndarjes së tij nga jeta. Kryeparlamentarja Jozefina Topalli shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Ridvan Bode, Nënkryetari Astrit Patozi, bashkëshortja dhe fëmijët e Azem Hajdarit, të afërm e përfaqësues të partisë demokratike vendosën kurora me lule në nderim të liderit të dhjetorit 90’ vrarë në 12 shtator 1998. Për Kryetaren e Kuvendit “Azemi ishte kalorës i lirisë”. “Ishte dhe mbetet modeli i politikanit të ri për të guxuar dhe për të qenë në çdo moment i zoti dhe i aftë për të mbrojtur atë që beson. Kjo është gjëja më e rëndësishme për çdo politikan të ri”, u shpreh ajo. Më pas Kryetarja e Kuvendit së bashku me përfaqësues të Partisë Demokratike bënë një vizitë në shtëpinë e Azem Hajdarit, ku u takuan e biseduan me bashkëshorten e tij Fatmira, fëmijët dhe të afërmit e Heroit të Demokracisë. Topi: Azemi, një prej figurave më të spikatura të demokracisë shqiptare/Presidenti i Republikës, Bamir Topi zhvilloi dje paradite një vizitë në familjen e Azem Hajdarit, me rastin e 11-vjetorit të ndarjes nga jeta në mënyrë tragjike, të njërës prej figurave më të ndritura të historisë së pluralizmit dhe demokracisë në Shqipëri. Gjatë vizitës dhe bashkëbisedimit me familjarët, kreu i shtetit nënvizoi forcën e karakterit të Azem Hajdarit, guximin, vetëmohimin dhe besimin tek populli shqiptar për forcimin e demokracisë në Shqipërisë. “Natyrisht që vitet kalojnë shumë shpejt, por Azemi mbetet në memorien e gjithë se cilit, sidomos të miqve dhe të shokëve të tij. Një njeri shumë i veçantë, me një karakter të fortë, gati-gati të papërsëritshëm. Kjo është arsyeja që ne e kujtojmë Azemin jo vetëm në përvjetorin e rënies së tij, por në çdo moment tjetër kur flitet për heronj”, tha Kreu i Shtetit në një prononcim për mediat. Azem Hajdari u shqua për vetitë e tij, që në fillimin e Lëvizjes Studentore të vitit 1990 për të vazhduar më pas me veprimtarinë e tij politike, duke mbetur në kujtesën historike si një udhëheqës me vlera të rralla demokratike e patriotike, për të cilat atij i është dhënë, pas vdekjes edhe Urdhri i lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” nga Presidenti i Republikës
...