11 vjet nga shuarja e “Pishtarit të Demokracisë”, Azem Hajdarin
Azem Hajdari, simbol i pluralizmit në Shqipëri, udhëheqës i Lëvizjes Studentore të vitit ’90 që solli rrëzimin e diktaturës komuniste, u kujtua dje në 11 vjetorin e ndarjes nga jeta (12 shtator 1998) me një ceremoni përkujtimore që u zhvillua pranë memorialit të tij, pranë selisë së PD-së.
Azem Hajdari u lind në 11 mars 1963 në qytetin e Tropojës, në skajin verilindor të Shqipërisë. Pas përfundimit të shkollës së mesme në qytetin e tij të lindjes ai vijoi studimet në Fakultetin e Shkencave Politike e Juridike në Universitetin e Tiranës, ku dhe u diplomua për filozofi në vitin 1993, ndërsa në vitin 1995 u diplomua si jurist.
Në vitet 1993-1994 ndoqi kualifikimin pasuniversitar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për gjuhë angleze e filozofi, ndërsa në 1996 për politikat e sigurisë e mbrojtjes, në kuadrin e NATO-s, në Garmisch-Partenkirchen në Gjermani.
Në dhjetor të 1990, ai ishte udhëheqës i Lëvizjes Studentore për shembjen e diktaturës komuniste në Shqipëri, ndërsa në vitet 1991 - 1993 nënkryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë, e para parti opozitare pas gati 50 vjet diktaturë komuniste.
Deputet i PD-së në katër legjislatura, Azem Hajdari, ka qenë anëtar i Kryesisë së kësaj partie dhe në vitet 1992-1996 Kryetar i Komisionit Kuvendor për Rendin Publik dhe SHIK-un.
‘Qytetar Nderi” i pothuajse të gjitha bashkive e komunave të Shqipërisë, si në Tiranë, Vlorë etj, në vitin 2002 Azem Hajdari u nderua me Urdhrin “Nderi i Kombit”, ndërsa në vitin 2003 me Medaljen e Artë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.