Kryetarja e kuvendit merr urime nga homologë të saj
Me rastin e rizgjedhjes në krye të Parlamentit
TIRANE – Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli ka marrë mesazhe të shumta urimi për rizgjedhjen e saj në krye të Kuvendit, nga Kryetarë të parlamenteve evropianë e botërorë.
Kryetari i Parlamentit të Kroacisë, Luka Bebiç, në letrën e tij dërguar Kryetares së Kuvendit shkruan “është kënaqësi e madhe për mua t’ju përgëzoj juve, në emrin tim dhe në emër të të gjithë deputetëve të parlamentit të Kroacisë me rastin e zgjedhjes tuaj si Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, duke ju uruar shumë sukses në këtë detyrë të lartë e me përgjegjësi”.
Ai shton se, me këtë rast, do të jetë gjithnjë e më evident bashkëpunimi mes parlamentit të Kroacisë dhe Parlamentit të Shqipërisë.
“Rizgjedhja juaj si Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë na jep mundësinë për të vijuar bashkëpunimin ndërparlamentar, pjesë thelbësore e të gjithë bashkëpunimit mes dy vendeve, në një frymë pozitive veçanërisht në kuadër të anëtarësimit të NATO dhe integrimit në Bashkimin Evropian, ashtu si edhe në hapjen e rrugëve të reja të bashkëpunimit mes Kroacisë dhe Shqipërisë”, shkruan në letrën e tij Kryetari i Parlamentit të Kroacisë, Luka Bebiç.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi duke i uruar Kryetares së Kuvendit suksese në përmbushjen e përgjegjësive të mëdha në krye të këtij institucioni të lartë shtetëror, thekson mirënjohjen e thellë për të gjithë ndihmën që Shqipëria dhe institucionet e saj shtetërore kanë dhënë për Kosovën në këto vite vendimtare të historisë së saj.
Ndërsa në letrën e tij të urimit drejtuar Kryetares së Kuvendit, Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Trajko Veljanoski shpreh se “jam veçanërisht i kënaqur që t’ju përgëzoj ju, në emër të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë dhe timin personal, për rizgjedhjen tuaj si Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, si dhe t’ju uroj punë të mbarë e të suksesshme”.
Shpresoj që gjatë katër viteve të ardhshme do të kemi mundësinë të vazhdojmë bashkëpunimin miqësor që tashmë kemi vendosur në të gjitha nivelet, i cili padyshim do të ketë një rëndësi shumë të madhe për thellimin dhe forcimin e të gjitha marrëdhënieve miqësore mes vendeve tona në rrugën e përbashkët evropiane”.
Kryetarja e Kuvendit vazhdon të marrë mesazhe dhe letra urimi nga homologët për e saj zgjedhjen për një mandat të dytë në krye të Kuvendit të Shqipërisë.
Edhe trupi diplomatik i akredituar në Tiranë, uron kryetaren e Kuvendit/Dekani i Korpusit Diplomatik të Tiranës, ambasadori rus, Aleksandër Prishchepov i dërgoi dje, një letër urimi Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli për zgjedhjen e saj për një mandat të dytë në krye të Kuvendit të Shqipërisë. Ambasadori i Rusisë, Prishchepov uron Kryetaren e Kuvendit, në emër të gjithë përfaqësuesve të Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë. Në letrën e tij, ambasadori Prishchepov i uron Kryetares së Kuvendit suksese në këtë detyrë të re me përgjegjësi të lartë. Jozefina Çoba Topalli u zgjodh të martën (8 shtator) për të dytin mandat radhazi në postin e kryetares së Kuvendit. Topalli është gruaja e parë kryeparlamentare në gjithë historinë e parlamentarizimit në Shqipëri dhe e gjashta Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë në historinë parlamentare pluraliste, nga viti 1991.
Jozefina Topalli u zgjodh për herë të parë në krye të parlamentit shqiptar në muajin shtator 2005, ndërsa në dy legjislatura paraardhëse radhazi (1997-2001, 2001-2005) ishte në postin e Nënkryetares së Kuvendit