Sarkozy hidhëron sërish britanikët

Gjatë intervistës, Sarkozy ka deklaruar se do rrisë me 1.6 për qind TVSH-në për të stimuluar ekonominë në rënie. Por kur një gazetar i tha se në Britani rritja e TVSH-së u pasua me rritje çmimesh, Sarkozy, i cili në vitin 2009 pati deklaruar se rritja e TVSH në Britani ka dështuar në stimulimin e ekonomisë, u shpreh: “Mbretëria e Bashkuar nuk ka më industri”.
Sarkozy tha se këtë masë e ka huazuar nga Gjermania, duke argumentuar se ka ndihmuar në rritjen e konkurueshmërisë gjermane dhe nuk ka sjellë rritje çmimesh.
Kjo nuk është hera e parë që Sarkozy lëndon britanikët. Në tetor, gjatë një samiti të BE-së, ai i tha kryeministrit britanik, David Cameron, se “sapo humbe një mundësi të mirë për ta qepur gojën”.
Një muaj më vonë, gjatë një konference për shtyp, i pyetur nëse Gjermania e Franca po përpiqeshin të ndryshonin qeveritë në Itali dhe Greqi, Sarkozy tha: “Ndoshta fakti që vini nga një ishull ju pengon që të kuptoni hollësitë e konstruktit evropian”.