E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD, më datën 23 maj, kongres elektoral



Berisha: Jo zgjedhje të reja, shpalosje të programit

Berisha mbledh në Kryeministri Kryesinë e PD-së

Kongres elektoral dhe jo zgjedhor. Ky është vendimi i marrë mbrëmë nga Kryesia e PD-së, e cila caktoi dhe datën 23 maj për mbledhjen e kuvendit të 9-të të kësaj partie. Në këtë mënyrë, demokratët nuk do të zhvillojnë zgjedhje të reja brenda PD-së, por do të bëjnë shpalosjen e programit elektoral me të cilin ata do t’u drejtohen zgjedhësve shqiptarë për një tjetër mandat qeverisës. Lideri i mazhorancës, Sali Berisha, mbodhi në orët e mbrëmshme në selinë e Kryeministrisë, anëtarësinë e Kryesisë së PD-së, të cilëve u parashtroi idenë e një kongresi elektoral në prag të zgjedhjeve të 28 qershorit dhe jo ristrukturim të partisë në një moment të tillë. Anëtarët e Kryesisë kanë mbështetur propozimin e kryetarit Berisha, duke rënë dakord që zgjedhjet e brendshme të zhvillohen në një moment tjetër, pas zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit. Pas mbledhjes, zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli, njoftoi përmes një deklarate për shtyp se Kryesia e Partisë Demokratike të Shqipërisë diskutoi gjerësisht për kuvendin e ardhshëm të PD-së dhe programin e saj. Sipas saj, kuvendi i ardhshëm do të miratojë programin elektoral të Partisë Demokratike, program ky i cili do të përfshijë reformat e mëdha si në fushën e shëndetësisë, arsimit, bujqësisë, ekonomisë, punësimit, ashtu dhe projektet e mëdha kombëtare, akset e mëdha rrugore si dhe infrastrukturën rurale në mbarë vendin. Kryeministri Berisha do të drejtojë programin e Partisë Demokratike si dhe do të kryesojë hartimin dhe diskutimin e tij. Kurse sekretari i përgjithshëm, z. Ridvan Bode, do të merret me anën organizative të kuvendit.

Në këtë mbledhje nuk u fol për zgjedhjet në degën e Tiranës, ndonëse grup-seksionet janë drejt mbylljes së procesit të ripërtëritjes. Në këtë rast, PD-ja ka shtyrë zgjedhjet brenda saj për të zgjedhur një moment tjetër për zhvillimin e tyre. Ristrukturimi i PD-së, realisht pritej që të shtyhej për faktin se procesi i saj kishte përafruar me zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Statusi i PD-së e lejon shtyrjen e tyre, ndërkohë që lidershipi i saj është komform dokumentit themeltar, për sa i përket datës së mbledhjes së kongresit. E gjithë vëmendja e demokratëve tashmë do të përqendrohet tek platforma elektorale, në hartimin e plotë të saj për të cilën prej javësh po punojnë ekspertët më të mirë të vendit. Në këtë program do të bëhen të qarta objektivat katërvjeçare të qeverisë së djathtë e cila synon fitoren e 28 qershorit, pasi ndihet e realizuar në përmbushjen e reformave mjaft të rëndësishme përgjatë këtij mandati që po lëmë pas. Menjëherë pas miratimit të programit nga delegatët e kuvendit të 9-të që do mbahet me datën 23 maj, dokumenti kyç që do t’i sigurojë fitoren e re së djathtës, do t’u përcillet shqiptarëve në gjithë Shqipërinë gjatë ditëve të fushatës elektorale. Kuvendi i PD-së zhvillohet vetëm 5 ditë para zyrtarizimit të fillimit të fushatës elektorale, e cila pritet të ketë mjaft surpriza të reja nga ana e pushtetarëve të mazhorancës qeverisëse. Dhe vetëm pasi të jenë mbyllur zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, forumet e larta të PD-së do të mblidhen sërish për të caktuar një datë tjetër për ristrukturimin e partisë. Zgjedhjet në bazë kanë përfunduar deri në tri degë të PD-së dhe gjysma tjetër, ajo e zgjedhjeve në qendër, do të kryhet vetëm, pasi të kenë përfunduar zgjedhjet e përgjithshme parlamentare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›