Sarkozy paralajmëron Rusinë

Sarkozy tha se Rusia është një mike e rëndësishme, por përpjekjet e saj për të frikësuar Gjeorgjinë janë të papranueshme.
Lideri francez u shpreh se Rusia duhet t’u përmbahet pikave të marrëveshjes për armëpushim, të arritur në vitin 2008, ku ai dha kontributin e tij.
Duke folur në Sheshin e Lirisë, në Tbilisi, ai tha se Franca mbështet plotësisht sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Gjeorgjisë.
“Franca e sheh Rusinë si mike të saj, si një partner strategjik. Por kërcënimet, frikësimi dhe tentativat për të destabilizuar vendin nuk ndihmojnë në rivendosjen e besimit”, deklaroi Sarkozy.
Shefi i pallatit Elize u shpreh se Gjeorgjia duhet të jetë në gjendje të shprehë aspiratat e saj për t’iu bashkuar NATO-s dhe BE-së, pavarësisht kundërshtimeve të Rusisë.
Gjeorgjia akuzon Rusinë se ka shkelur paktin e vitit 2008, duke mos tërhequr trupat e saj në pozicionet para luftës dhe duke “pushtuar” ish-republikat sovjetike të Abkazisë dhe Osetisë së Jugut.