Sarkozy përgatit francezët për kursime

Lajmi më i rëndësishëm për francezët: Shteti francez duhet të kursejë. 42 minuta iu deshën Sarkozysë për të dhënë lajmin. "Që të mbetemi seriozë duhet ashtu si miqtë tanë gjermanë të ulim prognozën e rritjes ekonomike në 1 për qind. Kjo do të thotë që edhe buxheti duhet të përshtatet me këtë prognozë, pra na duhet të kursejmë 6-8 miliardë euro", tha ai.
Prej ditësh spekulohet nëse qeveria do të rrisë TVSH-në. Por pas rënies në sondazhe, kur u rrit tatimi mbi lëngjet, Sarkozy nuk guxon ta bëjë më këtë.
"Nuk do të ketë një rritje të përgjithshme të TVSH-së. Për një arsye të thjeshtë: Ajo do të dobësonte fuqinë blerëse të francezëve, do të ulte konsumin dhe kjo do të ishte e padrejtë", tha Sarkozy.
Intervista me presidentin ishte njoftuar si një orë mësimi për popullin francez, për të sqaruar gjendjen pas vendimeve për euron.