E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sarkozy pëson debakël

E majta franceze në opozitë ka korrur fitore në zgjedhjet rajonale, pas rrethit të dytë dhe përfundimtar të zgjedhjeve, në atë që shumë e shohin si qortim ndaj të djathtës së qendrës së presidentit Nicolas Sarkozy dhe reformave të tij.

Pas numërimit të pothuajse të gjitha votave, socialistët kanë fituar 54 për qind të votave të përgjithshme dhe partia konservatore UMP dhe aleatët e saj kanë marrë 34 për qind.

Pjesëmarrja në votime ishte rreth 51 për qind e francezëve me të drejtë vote. Socialistët do të kontrollojnë 22 nga 26 rajonet e vendit dhe territoreve që ka Franca.

Kryeministri Francois Fillon e quajti zhgënjyes rezultatin, por tha se reformat ekonomike ishin të nevojshme për të paguar për stilin e jetës së francezëve.

Njoftimet e shtypit thonë se kryeministri me sa duket do të japë dorëheqjen, por se presidenti Sarkozy do ta riemërojë atë në krye të një kabineti të riorganizuar.

Rezultatet treguan se një koalicion i partive të majta dominoi të gjitha rajonet franceze përveç dy prej tyre, gjatë rrethit të dytë të zgjedhjeve të së dielës.

Rreth 51 për qind e votuesve francezë morën pjesë në zgjedhje, një numër pak më i madh sesa në rrethin e parë, i cili u zhvillua javën e kaluar.

Në një fjalim të transmetuar në televizion, Martine Aubry, shefja e Partisë Socialiste në opozitë, tha se vota i dërgoi një porosi të fuqishëm qeverisë së qendrës së djathtë të presidentit Nicolas Sarkozy dhe partisë UMP në pushtet.

Zonja Aubry thotë se vota arriti të dërgonte porosinë qortuese ndaj atyre që ajo i përshkroi si politika të padrejta të qeverisë, ku përfshiheshin uljet tatimeve për shtresën e pasur në kurriz të luftës ndaj papunësisë dhe kujdesit për të moshuarit.

Shumë analistë janë dakord se francezët janë të zemëruar, ngase qeveria ka dështuar ti mbrojë ata nga rënia e ndjeshme ekonomike dhe papunësia e lartë gjatë dy viteve të fundit.

Por në fjalimin e tij drejtuar vendit të shtunën, kryeministri Francois Fillon tha se qeveria e ka kuptuar porosinë e votuesve.

Zoti Fillon e pranoi se francezët janë të shqetësuar se stili i tyre i jetesës është kërcënuar. Por ai thotë se reformat ishin kritike që ti shërbenin stilit të jetës për vitet që vijnë.

Presidenti Sarkozy përballet me rizgjedhje në vitin 2012.

Ai këmbëngulë se zgjedhjet lokale ishin thjeshtë lokale, edhe pse disa analistë thonë se ato përbëjnë një vlerësim për punën e tij.

Ndërsa e djathta u mund ndjeshëm, vëzhguesit thonë se rezultatet mund të kishin qenë edhe më të renda.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›