E Diel, 1 Nëntor 2026

Schalke mendon ta huazojë Ibraimin

Besart Ibraimi nuk bën pjesë në planet e Schalke 04. Trajneri Felix Magath po planifikon ta huazojë sulmuesin 23 vjeç, të cilin e kishte blerë në janar të këtij viti nga Renova e Maqedonisë për 400 mijë euro. Ditë më parë, Schalke ia kishte ofruar Ibraimin ekipit të dytë të Energie Cottbus, por trajneri i tij, Claus-Dieter Wollitz, bëri të ditur se futbollisti shqiptar nuk i përshtatet ekipit të tij.

“Ibraimi është një lojtar që nuk i përshtatet sistemit tonë të lojës. Kjo është e tëra”, ka thënë Wollitz për uebfaqen lr-online.de. Në janar, Magath pati deklaruar se Ibraimit i nevojitet një periudhë për t’u adaptuar në futbollin gjerman, ndërsa thoshte se do të llogaritë në të sezonin e ardhshëm.

Mirëpo, duket se Ibraimi nuk e ka bindur gjithaq trajnerin Magath dhe futbollisti nga Maqedonia nuk do të ketë vend në ekipin e Schalkes. Për këtë, ky ekip po planifikon ta huazojë sulmuesin shqiptar tek një skuadër mesatare, për të bërë përvojë. Gjatë pjesës pranverore të sezonit të shkuar, Ibraimi i kishte zhvilluar dy ndeshje në Bundesliga, me Schalken.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›