E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthimi i ‘Imperatorit’

Adriano Leite Ribeiro i ka bërë të ëndërrojnë tifozët e Romës. Sulmuesi brazilian, në një konferencë për shtyp të enjten ka premtuar se tifozët e ekipit Giallorossi do ta shohin rikthimin e ‘Imperatorit’.

Ai ka pohuar se e ka ndërmend ta ndihmojë ekipin italian në arritjen e sukseseve. Ish futbollisti i Parmës, i Fiorentinës dhe i Interit thotë se tashmë ndihet mirë, pas problemeve që kishte në të kaluarën me alkoolin.

“Për mua Roma do të thotë shumë. E di se në të kaluarën kam bërë gjëra jo të mira dhe që nuk duhet t’i përsëris, por jam këtu që t’i harroj ato momente të këqija. E kam dëshirën e madhe që ta demonstroj se jam ende futbollist i madh”, u shpreh fillimisht Adriano, që së fundmi luajti në kampionatin brazilian.

28 vjeçari, i cili së fundmi luajti te Flamengo, po punon fort në qendrën sportive Riscone të Brunicos, ku po i zhvillon përgatitjet para-sezonale Roma. Edhe pse ka paksa peshë të shtuar, ai beson se do të jetë në top formë në fillim të sezonit.

“Nuk preferoj të flas se sa kilogramë duhet t’i heq. Unë nuk kam luajtur që 3 muaj. Mirëpo, mund t’ju them se pas një muaji do të jem afër formës më të mirë fizike. Më duhet të punoj dhe ta demonstroj në fushë vlerën time. Ndihem i lumtur, e kam bërë zgjedhjen e duhur dhe dëshiroj të fitoj menjëherë”, nënvizoi ai.

Adriano mendon se do të përshtatet në ‘tridente’, pasi trajneri Claudio Ranieri planifikon të luajë me tre sulmues këtë sezon. “Unë, Totti dhe Vucinic mund të luajmë së bashkua. Por, nuk mjafton vetëm të sulmojmë, sepse duhet të vuajmë paksa dhe ta ndihmojmë skuadrën edhe të mbrohet. Për të fituar nuk mjaftojnë kampionët, por nevojitet një grup futbollistësh, të cilin Roma e ka”, vazhdoi Adriano.

Sipas tij, Roma është një skuadër e madhe dhe mund të arrijë larg, si në kampionat, ashtu edhe në Ligën e Kampionëve. Ai siguron se problemet me alkoolin i ka kaluar, në të kundërtën nuk do të ishte te Roma. Adriano e pranon se ishte i trishtuar e në depresion dhe që nuk kishte dëshirë më të luante e as të buzëqeshte, por rikthimi i tij në Brazil i ndihmoi të zhvillohej si person falë familjes dhe shokëve të tij.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›