E Diel, 1 Nëntor 2026

Scheffer: Shqiperia ne NATO pranveren e ardhshme

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, i tha BBC-së se krijimi i një force të re të sigurisë në Kosovë do të jetë në interes të qëndrueshmërisë në rajon, por edhe në interesin e vetë serbëve. Por zoti Scheffer ka thënë se kjo forcë do të mund të ishte më e përafërt me një forcë franceze "xhandarmërinë".

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s ka theksuar se qeverisë së re në Beograd i duhet ofruar një mundësi që të vendosë për përparësitë e saj dhe për marrëdhëniet me NATO-n.

Sipas tij, qëndrueshmëria në rajon nuk është e mundur pa Serbinë.

Jaap de Hopp Scheffer ka shfaqur shpresën se në prag të samitit të ardhshëm të NATO-s, në pranverë të vitit të ardhshëm, Shqipëria do të bëhet anëtare me të drejta të plota e Aleancës veri-atlantike.

Ai ka kërkuar më shumë fleksibilitet nga ana e Maqedonisë në zgjidhjen e problemit të emrit, për të mundësuar anëtarësimin e saj në NATO.

Arbër Vllahiu, zhvilloi një bisedë me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, në Bruksel.

BBC: Zoti Scheffer, roli i NATO-s në Kosovë, në të kaluarën ka qenë vendimtar. Si e shihni ju tani vazhdimin e pranisë ushtarake ndërkombëtare në Kosovë?

Scheffer: Roli i KFOR-it dhe NATO-s, si dhe qëndrimi e mandati i tij, është i bazuar mbi Rezolutën 1244 të KS të OKB-së. Kështu do të vazhdojë gjithnjë përderisa të mos ketë një Rezolutë tjetër që e zëvendëson atë 1244. Prandaj KFOR-i është atje dhe do të vazhdojë të qëndrojë gjithandej Kosovës për aq kohë sa të jetë e përshkruar nga OKB-ja.

BBC: Por çka pas Rezolutës 1244?

Scheffer: Kjo i takon KS të OKB-së të vendosë. Ndërkohë, ne kemi parë shpalljen e pavarësisë dhe e dini se jo të gjithë anëtarët ose aleatët e NATO-s, e kanë njohur Kosovën, por kjo nuk e ndryshon faktin se KFOR-i është atje dhe do të qëndrojë atje në një të ardhme të parashikuar.

Kjo është pranuar edhe nga aleatët që e kanë pranuar dhe nga ata që nuk e kanë pranuar. Në këtë mënyrë, KFOR-i nuk është i prekur nga zhvillimet. Ju e dini se KFOR-i gëzon një besim të plotë në Kosovë edhe nga shumica shqiptare, por edhe pakica serbe.

BBC: Por NATO-ja po planifikon që të ndihmojë në krijimin e një force të re të sigurisë në Kosovë. Si mund të arrihet kjo?

Scheffer: Së pari, mendoj se kur flasim për detyrat e reja, një mjedis i sigurt është paraparë edhe me 1244, ka të bëjë me krijimin e një force të sigurisë dhe kjo veç tjerash, mund të jetë edhe në interes të serbëve.

Por si e definojmë një forcë të sigurisë? Natyrisht se ajo do të ketë një detyrë të kufizuar dhe mbase fjala "xhandarmëri" do të ishte më e përafërta me të.

Dikush duhet ta bëjë këtë. Dikush duhet ta mbikqyrë shpërbërjen e TMK-së dhe ngritjen e kësaj force të re. Kush tjetër do ta bënte këtë, do të ishte pyetja ime retorike?

Ajo është kërkuar nga qeveria në Prishtinë, është përkrahur nga ajo.

Mendoj se kjo është në interes të qëndrueshmërisë dhe sigurisë në rajon dhe vërtetë shoh një lidhje mes Rezolutës 1244 dhe asaj që po bën KFOR-i në kornizat e detyrave të reja.

BBC: Prishtina e ka pranuar këtë dhe po e përkrah. Por Beogradi po e kundërshton këtë forcë. Madje zyrtarë të tij kanë thënë se NATO po e krijon shtetin e tij në Kosovë?

Scheffer: Mendoj se kjo nuk është e drejtë. Unë kam biseda zyrtare e jozyrtare me miqtë e mi në Beograd dhe unë e di se ata kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë kritikë, por mendoj se unë mund të provoj të paktën t'ua sqarojë se çfarë nënkupton kjo, se cila është historia e KFOR-it për ta bërë këtë.

Unë e kuptoj se është e vështirë për ta. Unë e njoh Beogradin dhe i njoh miqtë e mi dhe nuk e mohoj se është e vështirë për ta, por ne duhet të vazhdojmë dialogun me ta. Mendoj se në një periudhë afatgjate kjo është edhe në interesin e tyre.

BBC: A është NATO e përgatitur që të ndihmojë në dialogun Prishtinë-Beograd, posaçërisht në veri, meqë kemi parë shumë probleme atje?   Scheffer thotë se Nato vepron në Kosovë në bazë të rezolutës 1244

Scheffer: Nuk mendoj se NATO-ja duhet të marrë rolin e ndërmjetësit politik. Ky nuk është roli i NATO-s, por siç e thashë NATO-ja ka një mandat shumë mirë të kornizuar dhe të përshkruar sipas Rezolutës 1244 dhe ky është KFOR-i, që ofron një siguri dhe qëndrueshmëri në gjithë rajonin.

Mendoj se NATO-ja nuk duhet të marrë një rol në ndërmjetësim. Duke e thënë këtë unë e kam pjesë të punës sime që të kem marrëdhënie të mira edhe në Prishtinë edhe Beograd.

Me këtë sinqerisht shpresoj se qeveria e re në Beograd, do të kërkojë, ashtu sikurse edhe unë, një dialog konstruktiv mes Serbisë dhe NATO-s.

BBC: Por si e shikoni ju këtë marrëdhënie. Mendoni se Serbia ka obligime për stabilitet në Kosovë, marrë parasysh problemet në veriun e Kosovës?

Scheffer: Unë nuk po flas për obligime. Mendoj se në raportet NATO-Serbi, Beogradi duhet të vendosë bazën. T'i ofrojmë kësaj qeverie të re një mundësi që të stabilizohet. T'i ofrojmë asaj një mundësi të vendosë për përparësitë e saj.

E njoh presidentin Tadiç, ministrin Jeremiç dhe ata janë miq të mirë. Ne mund të kemi një dialog të hapur me ta, por t'i lejojmë që të vendosin ata një bazë për bashkëpunimin me NATO-n.

Serbia është në partneritetin për paqe, ne jemi në një proces të gjetjes së mundësive se si t'i afrohemi njëri-tjetrit. Por le t'i lejojmë Beogradit të vendosë.

NATO-ja është e hapur. Unë do të zgjas dorën time dhe do të bëj një afrim që është produktiv. Unë jam optimist për këtë gjë pavarësisht faktit se e di mirë se sa të vështira kanë qenë zhvillimet e fundit për serbët dhe Beogradin.

BBC: Pra, ju do të vendosi kushte për Serbinë para se ajo të bëhet anëtare e plotë e NATO-s?

Scheffer: Unë nuk do të vendos kushte. Ne kemi një Partneritet për Paqe. Unë po flas për dialog dhe jo për kushte. Gjithashtu po flas për rrugën që duhet të vendoset nga Beogradi.

Nëse e marrim rajonin, - dhe javën e kaluar kishim nënshkrimin e protokolleve për anëtarësim në NATO të Shqipërisë dhe Kroacisë dhe ky ishte një zhvillim madhor, - atëherë si mund të ketë një qëndrueshmëri dhe siguri afatgjatë pa një Serbi të integruar plotësisht në strukturat euro-atlantike.

Po e them euro-atlantike me qëllim, sepse e di që BE-ja është përparësi e qeverisë në Beograd, me shumë të drejtë natyrisht.

Por në të njëjtën kohë, nuk duhet harruar kombinimin euro-atlantik. Serbia është në Partneritet për Paqe. Ne bëmë ç'ishte e mundur dhe unë bëra më të mirën për të marrë vendimin që t'i ofrohet Serbisë, Partneriteti për Paqe. Ajo e pranoi këtë.

Atëherë le të punojmë rreth kësaj si miq duke e pranuar se situata është komplekse dhe e komplikuar, por gjithashtu duke e pranuar se çfarë duhet bërë në rajon si tërësi.   Shqipëria shpreson që vitin e ardhshëm të bëhet anëtare me të drejtat të plota e Nato-s

Serbia, në mos më i rëndësishmi, është të paktën një nga lojtarët më të rëndësishëm në rajon. Pra, qëndrueshmëria në rajon pa Serbinë nuk është fort e parashikueshme.

BBC: E përmendet Shqipërinë. Në Tiranë, ftesa për anëtarësim në NATO është parë si zhvillimi më madhor në dekadën e fundit. Sa larg është Shqipëria në përmbushjen e standardeve për t'u bërë anëtare me të drejta të plota e NATO-s?

Scheffer: Një hap shumë i rëndësishëm është parë javën e kaluar me nënshkrimin e protokolleve.Tani ka mbetur procesi i ratifikimit i vendeve anëtare të NATO-s dhe unë shpresoj se të gjitha procedurat e ratifikimit dhe ju e dini se këtu janë të përfshira të gjitha parlamentet, do të përfundojnë në kohën kur NATO të ketë samitin e ardhshëm, në pranverën e vitit të ardhshëm, në Strasburg në zemrën e Evropës.

Unë shpresoj se kjo do të ndodhë kështu dhe pastaj do të shohim Shqipërinë dhe Kroacinë si anëtare të NATO-s me të drejta të plota. Mendoj se ky do të jetë një vendim shumë i rëndësishëm

BBC: Por kemi parë probleme me depot e armëve dhe municionit në Shqipëri, por së fundi edhe në Bullgari. Mund të luajë një rol në këto situata NATO-ja?

Scheffer: Ka gjithnjë një rol për aleatët e NATO-s që të ofrojnë mbështetje për shtete e tjera. Unë e kujtoj atë incident dramatik në fabrikën e municioneve.

Aty ku mundet NATO-ja të ndihmojë, do ta bëjë këtë. Por të mos harrojmë se reformat, - dhe ato nuk janë relevante vetëm për Shqipërinë, nuk janë vendosur, sepse NATO-ja e do këtë. Por reformat duhen bërë, kjo është nënvizuar fuqishëm nga ministri i jashtëm shqiptar, Lulëzim Basha, e ato duhen bërë për hir të kombit dhe shtetit jo sepse NATO-ja ose Sekretari i Përgjithshëm thonë se tani duhet reformuar.

Me fjalë të tjera, NATO-ja do të insistojë për të bërë në Shqipëri dhe në çdo vend tjetër ku është e nevojshme.

BBC: Dhe ky problem me fabrikën e municioneve mendoni se nuk e ka dëmtuar ta themi, partneritetin me Shqipërinë?

Schefer: Nuk mendoj se ka ndikuar, dramatike siç ishte pasi pati humbje jetësh dhe kjo ishte dramatike.

Rrjedhojat e nevojshme gjithashtu edhe në kuptimin politik, - nëse kam ndjekur si duhet zhvillimet, - janë nxjerrë nga ky incident i tmerrshëm dhe dramatik. Dhe kur flasim për procese të tilla, NATO është gati të ndihmojë.

BBC: Le t'i kthehemi datës ekzakte. Kur do të jetë Shqipëria anëtare me të drejta të plota të NATO-s?

Scheffer: Kjo është vështirë të thuhet, pasi varet nga proceset ratifikuese në parlamentet e të 26 shteteve anëtare të NATO-s.

Unë nuk mund të parashikoj, por shpresoj se do të jetë në samitin tjetër të NATO-s në pranverë, në prill. Por unë nuk mund të parashikoj rezultatin ekzakt të saj.

BBC: Të shkoj tani në një pjesë tjetër të rajonit, në një vend tjetër në Maqedoni. Cilat janë shanset që Maqedonia të kapërcejë veshtirësitë që ka me Greqinë për çështjen e emrit?

Scheffer: Përgjigja për këtë pyetje në pjesën më të madhe duhet gjendur në Shkup. Ju e dini cili ishte rezultati i Bukureshtit. Ju e dini se edhe Maqedonisë do i ishte dhënë ftesa, nëse do të kishte patur një zgjidhje për çështjen e emrit.

Unë sinqerisht shpresoj që qeveria e re nën drejtimin përsëri të kryeministrit Gruevski do të gjejë një rrugë që të arrijë një marrëveshje në çështjen e emrit.

Unë do të doja që kjo gjë të ndodhte që nesër, por ka nevojë për fleksibilitet.

BBC: Nga të dyja palët?

Scheffer: Po natyrisht, por siç kam thënë edhe më parë është fakt se miqtë tanë në Shkup janë ata që duan të anëtarësohen në NATO dhe jo anasjelltas.

Greqia është anëtare, Shkupi nuk është. Me fjalë të tjera fleksibiliteti është i nevojshëm nga të gjitha palët.

Por kemi një komb që duhet të hyjë në NATO dhe nuk duhet të harrojmë se kjo është situata. Ndoshta është vështirë të thuhet kjo gjë, por kjo është situata.

Ndërkohë, unë sinqerisht shpresoj se zoti Nimitz, që siç e dini është personi që drejton procesin, do të ketë mundësinë së shpejti që të angazhohet me qeverinë e re në Shkup, për të parë se sa është margjina për fleksibilitet.

BBC: Zoti Sheffer. Ne kemi parë zhvillimet e ndryshme në rajon. Ne kemi parë që Kosova ka shpallur pavarësinë. Ne kemi parë reagimet në Beograd dhe Moskë, si e shihni ju të ardhmen e afërt të Ballkanit në përgjithësi?

Scheffer: Unë mendoj se ka vetëm një të ardhme për Ballkanin pasi sipas mendimit tim rajoni ende është një biznes i papërfunduar në Evropë.

Shihni te NATO, kemi dy shtete, Shqipëria dhe Kroacia që ndoshta vitin tjetër do të jenë anëtare me të drejta të plota në NATO.

Ne kemi intensifikuar dialogun me Bosnjë-Hercegovinën dhe Malin e Zi. Ne kemi Serbinë në Partneritet për Paqe. Ne kemi ende çështjen e pazgjidhur të emrit.

Duke folur nga këndi i NATO-s, kemi në Ballkan vende që janë në stade të ndryshme të marrëdhënies me NATO-n. Dhe e njëjta gjë është edhe për BE-në. Unë e quaj rajonin biznes të papërfunduar dhe dua të theksoj me forcë sa rëndësi ka që të gjitha shtetet në rajon, dhe në këtë duhet të përkrahen edhe nga BE edhe nga NATO, duhet të ndjekin rrugën e integrimit euro-atlantik.

Pastaj Evropa do të jetë një e tërë dhe e lirë dhe rajoni që është njohur për mungesë stabiliteti, për rreziqet e dhunës dhe luftrave.

Ishte vetëm 12- 13 vjet më parë që ne pamë përdhunime e dhunë dhe shtëpi që ishin përfshirë nga flakët në rajon.

Le të ecim me forcë në rrugën e integrimit euro-atlantik. Është rruga e vetme dhe unë do ta përkrah këtë proces me gjithë fuqinë time si Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s.

Unë nuk mund të flas për BE-në, por vetë do ta përkrah me sa të mundem.  BBC

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›