Scheffer, sot në Tiranë me ftesë të Bashës
Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzlim Basha, fton sot në Tiranë Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer. Më datë 8 maj 2009, në Tiranë zhvillohet takimi i ministrave të punëve të jashtme i Komisionit të Partneritetit, në kuadër të kryesimit nga Shqipëria të Kartës së Adriatikut A5. Të ftuar nga ministri i Punëve të Jashtme, z. Lulzim Basha, në takim marrin pjesë homologët e tij nga Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia dhe Mali i Zi, Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Integrimit Evropian të Kroacisë, si dhe zv.ndihmëssekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Takimit do t’i drejtohet me një fjalë përshëndetëse edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, z. Jaap de Hoop Scheffer, i cili vjen për një vizitë në vendin tonë. Në takim do të diskutohet për perspektivat e zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor dhe forcimit të bashkëpunimit në funksion të integrimit të të gjithë rajonit në strukturat euroatlantike, si dhe çështjeve të sigurisë në interes të rajonit dhe më gjerë. Në përfundim të takimit do të miratohet edhe një deklaratë e përbashkët e ministrave të punëve të jashtme të Komisionit të Partneritetit të Kartës së Adriatikut. Më pas Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s do të pritet në takime të veçanta nga krerët e shtetit, Bamir Topi dhe Sali Berisha, ndërkohë që në axhendë është parashikuar dhe një konferencë e përbashkët për shtyp me ministrin e Jashtëm, Lulzim Basha.