Shqipëri-Greqi, marrëveshje për pensionet e emigrantëve
Qeveria shqiptare përmes një marrëveshjeje të përbashkët me Greqinë, bën të mundur njohjen e ndërsjellë të sigurimeve shoqërore dhe pensioneve të emigrantëve shqiptarë në shtetin fqinj. Për këtë është rënë dakord mes dy kryeministrave, Sali Berishës dhe Kosta Karamanlisit, gjatë vizitës së këtij të fundit në Tiranë, ndërkohë që ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale, Anastas Duro, ndodhet në Athinë për përparimin e bisedimeve mes dy vendeve. Marrëveshja ka të bëjë me llogaritjen e viteve të punës të emigrantëve tanë në shtetin helen për efekt pensioni. Kjo iu bë dje e njohur nga ministri i Punëve të Jashtme Lulzim Basha përfaqësuesve të Unionit të Shoqatave të Shqiptarëve të Greqisë, të cilët ishin ftuar Instituti Kombëtar të Diasporës.
Z. Basha e informoi këtë përfaqësi të emigrantëve edhe për nismën e qeverisë shqiptare për ngritjen e shkollave shqiptare në Greqi për fëmijët e tyre dhe hapat që po bëhen për liberalizimin e vizave. Kryediplomati Basha u vuri atyre në dukje se Shqipëria shumë shpejt do të nënshkruajë edhe marrëveshjen për liberalizimin e vizave për lëvizjen e lirë të shqiptarëve në zonën “Shengen”. Ministri Basha shprehu kënaqësinë për bashkimin e shoqatave shqiptare në një union të vetëm dhe i siguroi ata për mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë së Berishës dhe shtetit shqiptar për diasporën në tërësi dhe qytetarët shqiptarë që jetojnë në Greqi, në veçanti. Gjatë fjalës së tij, ministri Basha evidentoi disa çështje kryesore, ku qeveria ka arritur, nëpërmjet punës me përkushtim të shënojë një përparim të ndjeshëm. “Së pari, - theksoi ai, - çështja e sigurimeve shoqërore dhe pensioneve është shumë e ndjeshme për emigrantët shqiptarë dhe si rrjedhim, një prioritet madhor i qeverisë “Berisha”. Kjo ishte një nga çështjet kryesore të diskutuara mes Kryeministrit Berisha dhe Kryeministrit Karamanlis gjatë vizitës së fundit të Kryeministrit grek në Tiranë. “Për këtë qëllim, - tha ministri Basha, - palët ranë dakord për një marrëveshje të përbashkët për njohjen e ndërsjellë të sigurimeve shoqërore dhe të pensioneve. Bisedimet tashmë po përparojnë dhe për këtë qëllim ndodhet në Athinë dhe ministri shqiptar i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. “Një çështje tjetër parësore, - theksoi ministri Basha, - është dhe mësimi i gjuhës shqipe nga fëmijët shqiptarë në diasporë. Në këtë drejtim përpjekjet tona janë drejtuar drejt mësimit të gjuhës shqipe, në sa më shumë shkolla publike, por edhe në funksionalizimin e një rrjeti qendrash mësimi të gjuhës shqipe kudo ku jetojnë dhe punojnë emigrantë shqiptarë në Greqi. Një tjetër mundësi që do të shfrytëzohet në këtë drejtim është dhe transmetimi i programeve të veçanta satelitore në ndihmë të arsimit dhe kulturës për bashkëkombësit tanë jashtë vendit”. Së treti, Ministri Basha u ndal, gjithashtu, te lëvizja e lirë e qytetarëve shqiptarë në hapësirën “Shengen”. Nëpërmjet përmbushjes së këtij prioriteti madhor të qeverisë “Berisha” do të lehtësohet një herë e mirë plaga e ndarjes së familjeve dhe familjarët e emigrantëve do të kenë mundësi të udhëtojnë pa pasur nevojë për viza drejt vendndodhjes së familjarëve të tyre kudo në Greqi apo në vendet e tjera të hapësirës “Shengen”. “Me integrimin e Shqipërisë në NATO, me aplikimin për statusin e vendit kandidat në BE, me pajisjen e qytetareve shqiptarë me pasaporta biometrike, Shqipëria është e sigurt në rrugën e duhur për të nënshkruar shumë shpejt marrëveshjen për liberalizimin e plotë të vizave në hapësirën “Shengen”, - theksoi ministri Basha. Përfaqësuesit e 52 shoqatave, që përfshihen në Unionin e Shoqatave Shqiptare të Greqisë, e falënderuan përzemërsisht ministrin e Punëve të Jashtme, z. Lulzim Basha, për pritjen e ngrohtë dhe për angazhimin e përkushtimin e qeverisë “Berisha” për zgjidhjen e problemeve të tyre. Ata vlerësuan hapat gjigandë që ka bërë vendi përpara, si një kontribut domethënës në ngritjen lart të dinjitetit të shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë kudo në botë. Anëtarësimi i vendit në NATO dhe hapat drejt anëtarësimit evropian e kanë ulur vendin tonë si të barabartë mes kombeve evropiane dhe euroatlantike, theksuan ata, dhe kjo ka një efekt të padiskutueshëm pozitiv edhe në marrëdhëniet e qytetarëve shqiptarë dhe qytetarët e vendeve ku ata jetojnë.