Scheffer:Duhet strategji e re në NATO

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jap de Hop Shefer ka deklaruar se aleanca ushtarake duhet të përcaktojë një strategji të re për t'u përballur me sfidat e kohës. Shefer është shprehur se sfidat kryesore të NATO-s sot përfshijnë misionet në Afganistan, marrëdhëniet e saj me Rusinë, dhe kërcënimet e reja si krimi kibernetik, siguria e energjisë dhe pirateria. Ai tha se aleanca veriatlantike nuk pajtohet me Rusinë mbi disa çështje, si Gjeorgjia apo njohja e Abkhazisë e Osetisë së Jugut, por shtoi se marrëdhëniet NATO-Rusi janë tepër të vlefshme për të ngecur mbi dallimet si zgjerimi i aleancës, mbrojtja raketore apo Kosova. Shefer i bëri këto komente në Budapest gjatë kremtimit të 10 vjetorit të anëtarësimit të Hungarisë, Polonisë dhe Çekisë në NATO. "Në atë ditë kur Republika e Çekisë, Hungaria dhe Polonia formalisht hynë në NATO, Lufta e Ftohtë mori fund përgjithmonë, dhe drejtësia triumfoi mbi historinë. Ishte një demonstrim i plotë i të drejtës së çdo shteti europian që të përcaktojë fatin e vet duke zgjedhur i lirë", theksoi Shefer. Vendet e tjera të ish-Bllokut Lindor: Bullgaria, Estonia, Letonia, Lituania, Rumania, Sllovakia dhe Sllovenia u pranuan në NATO pesë vjet më vonë, në vitin 2004.