E Diel, 1 Nëntor 2026

PE:Të fillojnë negociatat me Maqedoninë

Parlamenti Europian ka miratuar raportin për përparimin e Republikës së Maqedonisë në vitin 2008. Raporti i PE-së, rekomandon që Maqedonia deri në fund të këtij viti të marrë datën për fillimin e negociatave me BE-në dhe liberalizimin tërësisht të vizave. "Maqedonia ndërmerr hapa për plotësimin e kritereve për anëtarësim në BE. Është bërë përparim në implementimin e Marrëveshjes për stabilizim dhe asociim dhe të Marrëveshjes së Ohrit, si dhe në plotësimin e etapave, që ka vendosur KE-ja. Na vjen keq që tre vite pas marrjes së statusit kandidat, Maqedonia ende nuk ka filluar negociata për anëtarësim në BE. Kjo ka efekt demotivues mbi shtetin dhe qytetarët dhe rrit rrezikun për destabilizim të rajonit. Që të ndërpritet një situatë e tillë, Këshilli i BE-së duhet të përcaktojë një datë për fillimin e negociatave deri në fund të vitit", thuhet në Raportin e PE-së, i cili nuk ka karakter obligativ, por mundet të ndikojë në krijimin e politikës së Brukselit ndaj Maqedonisë. Europarlamentarët, në këtë document nuk i bëjnë thirrje në mënyrë të drejtpërdrejtë Greqisë, që të mos e përdorë veton si instrument për pengimin e integrimit të Maqedonisë në NATO dhe BE, por është pranuar përcaktimi i përgjithshëm, me të cilin rekomandohet që problemet bilaterale të mos e frenojnë procesin e afrimit të vendeve ballkanike në organizatata europiane dhe euroatlantike. Vendimet përfundimtare për hapat e ardhshme të Maqedonisë në procesin e eurointegrimeve i marrin Komisioni Europian dhe Këshilli i BE-së.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›