Schwarzenberg: Berlusconi i humbi reformat për seks

Shefi i diplomacisë çeke, Karel Schwarzenberg, u detyrua t’i arsyetohet ambasadorit italian në Pragë, Pasquale D’Avino, për deklaratën e tij jotaktike, se kryeministri italian i humbi gjasat për reforma të vendit shkaku i seksit.
Gjatë një interviste të fundjavës për gazetën çeke ‘Lidove Novini’ Schwarzenberg u shpreh me fjalë tejet vulgare edhe derisa po sqaronte arsyet e problemeve në Eurozonë. Ai madje theksoi se Greqia dhe Portugalia s;do të duhej fare të ishin pjesë e saj.
"Italia ishte më mirë asokohe. Por, është e vërtetë se qeveria e Berlusconit është fajtore që nuk i realizoi reformat. Berlusconi asokohe bënte seks në vend se kohën ta shfrytëzonte për reforma”, tha Schwarzenberg, derisa bashkëpunëtores së tij, që ishte prezente gjatë intervistës, paraprakisht i tha që t’i mbyllte veshët.
Diplomatët e Ministrisë së Jashtme të Çekisë u desh që një ditë më vonë ta “rregullonin” disi punën me ambasadorin italian për shkak të kësaj deklarate.