E Diel, 1 Nëntor 2026

“Agresioni i turpshëm, brutal e shtazor i kryetarit të koalicionit të pazareve dhe ngjalave”

26-04-2013 / Gazeta 55

Në emër të mazhorancës, Kryeministri Berisha kërkon ngritjen e një komisioni hetimor për incidentin e kryetarit të opozitës në Vjenë

Kryeministri Sali Berisha denoncoi dje në Kuvend si një akt të turpshëm dhe amoral incidentin e rëndë të ndodhur në Vjenë mes kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama dhe diplomati shqiptar, Egin Ceka, i atashuar pranë misionit të Republikës së Shqipërisë në selinë e OSBE-së në Austri. “Ky akt qëndron në agresionin e rëndë, të turpshëm, brutal, shtazor që kryetari i Partisë Socialiste dhe kryetari i koalicionit të pazareve, edhe ngjalave i ka bërë një prej diplomatëve të rinj, më të përgjegjshëm dhe më të përgatitur të këtij vendi. Ky akt është i turpshëm. Unë këtu denoncoj në mënyrën më të ashpër këtë akt të turpshëm, këtë akt violent, këtë akt brutal, këtë akt amoral, të një njeriu që ose humbi çdo kontroll të fakulteteve të tij psikike, ose ishte ashtu siç e akuzojnë rëndom, nën efektin e dozave të mëdha. Cilado që të jetë, ky është akti më i turpshëm”, u shpreh Kryeministri Sali Berisha.
Ai i propozoi grupit parlamentar të PD-së, që të ndërmarrë nismën për ngritjen e një komisioni hetimor për të hetuar mbi këtë “akt të turpshëm”. Sipas tij, ngritja e këtij komisioni hetimor, do të miratohet të hënën nga Kuvendi. “Zoti kryetar i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, unë i propozoj grupit parlamentar të ndërmarrë komision hetimor parlamentar. Ditën e hënë, ky parlament voton komisionin hetimor parlamentar, për të hetuar deri në një, aktin e paprecedent, të turpshëm, amoral, aktin që nuk ka ndodhur kurrë në historinë e këtij shteti, aktin e agresionit të një diplomati të ri nga kreu i opozitës, në një moment shfazimi total bipolarizmi ose overdoze... Në çdo anë, në çdo rrethanë, integriteti ynë, dinjiteti unë është dhe do të mbetet, është dhe ka qenë i parë mbi gjithçka tjetër. Është e vërtetë që nuk u ndala për ligjet, ndonëse ato i japin një përmirësim shumë të madh, plotësojnë kërkesa të rëndësishme të fermerëve tanë, të qytetarëve tanë, shënojnë etapa të reja në modernizimin e këtij vendi , por dhunimi publik, agresimi publik, brutal, i një njeriu në detyrë i një diplomati të akredituar në një vend mik, nga kryetari i opozitës përbën aktin më të rëndë. Përbën akt të pa precedent, më të turpshëm, që ka ndodhur ndonjëherë politikës dhe diplomacisë shqiptare”, deklaroi Kryeministri Sali Berisha në Kuvend.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›