Shqipëri-Bullgari; Kryetari i Kushtetueses ofron bashkëpunim në sistemin e drejtësisë
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Bullgarisë, z. Rumen Jankov, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në vendin tonë, i shoqëruar dhe nga homologu i tij shqiptar, z. Vladimir Kristo, është pritur paraditen e djeshme nga anëtarët e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë. Gjatë këtij takimi, anëtarët e Gjykatës së Lartë, të cilët shprehen jo vetëm interesimin e tyre mbi situatën e gjyqësorit në Bullgari, thanë gjithashtu se gjyqësori shqiptar do të jetë gjithmonë i gatshëm për të bashkëpunuar me kolegët e tyre. Ata bënë një përshkrim të detajuar të sistemit gjyqësor në vendin tonë, si dhe e kanë njohur z. Jankov me situatën e kohëve të fundit në Gjykatën e Lartë, pas përfundimit të mandatit të gjyqtarëve të larguar. Sipas tyre, shkëmbimi i eksperiencave me vendet e Ballkanit, tashmë pjesë e Bashkimit Evropian prej 2007-s, do t'i jepte drejtësisë dhe gjyqësorit shqiptar një ndihmë konkrete për të arritur nivelet e kërkuara ndërkombëtare. Gjatë takimit, anëtarët e Gjykatës së Lartë theksuan rëndësinë e shkëmbimit të vizitave të tilla, të cilat nuk duhet të jenë vetëm të nivelit zyrtar, por dhe në mbajtjen e kontakteve të vazhdueshme në shërbim të rritjes së bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Bullgarisë në fushën e drejtësisë dhe veçanërisht gjyqësorit. Nga ana e tij, z. Jankov, i cili ishte i shoqëruar dhe nga një anëtar i Gjykatës Kushtetuese të Bullgarisë, z. Blagovest Punev, pasi bëri një përshkrim të sistemit të drejtësisë dhe gjyqësorit në vendin e tij, ka vlerësuar pa masë shkëmbimet e këtyre vizitave, duke e vënë theksin se tashmë ato do të jenë edhe të niveleve teknike dhe më bashkëpunuese, veçanërisht në zbatimin e praktikave në kuadër të mbrojtjes së të drejtave të njeriut.