E Diel, 1 Nëntor 2026

Seanca e pavarësisë në Hagë, në ‘lojë’ 31 shtete

 

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ka paraqitur programin për seancën dëgjimore të shqyrtimit të pavarësisë së Kosovës. Gazeta “Express” shkruan se do të dëshmojnë 31 shtete. Kosova dhe Serbia, që janë vendet e konfliktit, do të kenë në dispozicion nga 3 orë për të prezantuar argumentet e tyre. Sipas informacioneve nga gazeta, Kosova ka vetëm një aleat më shumë se Serbia, ndryshe nga dy fazat e mëparshme të procesit, kur në anën e Kosovës kishte numër më të madh të shteteve. Pavarësia do të mbrohet nga 16 shtete, përfshirë edhe delegacionin kosovar, ndërsa qëndrimi i Serbisë do të ketë përkrah 15 shtete, përfshirë  edhe Serbinë. Shtetet e fundit që ka arritur të bindë Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, gjatë lotimit të tij janë Laosi, Burundi, etj. Por asnjë prej tyre nuk ka dorëzuar raportin në Gjykatë. Ndërsa për Kosovën, vende të reja që janë përfshirë në listën mbrojtëse janë Jordania, Arabia Saudite, Kroacia, Bullgaria, etj. Ka pasur paralajmërime për pjesëmarrjen e të gjitha anëtarëve të përhershme të Këshillit të Sigurimit në OKB: SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Rusia dhe Kina. Pavarësinë e Kosovës do ta mbrojnë edhe disa shtete të Bashkimit Evropian. E para që do të prezantojë qëndrimin e saj është Serbia, e cila ka bërë kërkesën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, për shqyrtimin e këtij rasti. Seanca nis më 1 dhjetor. Po atë ditë do të paraqesë qëndrimin edhe delegacioni i Kosovës, por pasdite. Vendimi i Gjykatës nuk ka asnjë fuqi imponuese për pavarësinë. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›