Taksat vendore, Rama: Vendimi i qeverisë në Gjykatën Kushtetuese
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, në një takim me kryetarët e bashkive socialiste ka hedhur akuza ndaj vendimit më të fundit që ka miratuar qeveria për taksat vendore, duke u shprehur se është shkelur hapur autonomia vendore dhe e vetmja zgjidhje sipas tij mbetet Gjykata Kushtetuese. “Shkel vijimësisht Kushtetutën, shkel vijimësisht kartën evropiane të autonomisë vendore, shkel vijimësisht të drejta që burojnë nga ligji. Ne do të vazhdojmë të ndjekim rrugën që kemi ndjekur deri më sot, duke i kontestuar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë këto masa flagrante antikushtetuese”, tha Rama. Por krahas ankimimit në Gjykatën Kushtetuese, kryebashkiaku Rama tha se do të ndërmerren hapa të tjerë, nga qeverisja vendore për të mbrojtur autonominë nga vendimet e maxhorancës. Ai tha se shpejt do të nisin përgatitjet për protesta edhe nga autoritetet vendore. “Është koha për të konceptuar dhe përgatitur protestat edhe në nivelin e realiteteve vendore lidhur me autonominë vendore”, tha Rama. Në këtë takim, kryetarët e bashkive të rretheve kanë argumentuar se vendimi i fundit i qeverisë Berisha zbraz arkat e Pushtetit Vendor. Dy ditë më parë, drejtuesit e disa bashkive kryesore të vendit, përfaqësues të PS-së, takuan shefin e Delegacionit të Komisionit Evropian Helmuth Lohan dhe kreun e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Robert Bosch. “Qeveria po kryen një sërë shkeljesh flagrante në dëm të autonomisë lokale, duke shkelur hapur Kushtetutën dhe ligjin ‘Për pushtetin lokal’”, u shpreh Kryetari i Bashkisë së Pogradecit, Artan Shkëmbi. “Paraqitëm raste konkrete se si financiarisht buxhetet e bashkisë cenohen, duke arritur në vlera deri në 50% të reduktimit të buxhetit, duke filluar që nga viti i ardhshëm. Është një cenim i pavarësisë së pushtetit lokal, që fillon nga pavarësia financiare dhe vazhdon pastaj me cenim të kompetencave dhe konflikte institucionale”, tha Shkëmbi, duke shprehur konsideratën e tij rreth takimit me Ambasadorin e OSBE-së, Bosch, bashkiaku i Pogradecit tha se “Zoti Bosch shfaqi interesin e tij për të vazhduar këtë bisedë pranë Prezencës së OSBE-së, këtu në Tiranë”.