Akuza për korrupsion ndaj qeverisë, Topalli penalizon Ballën
Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, është deputeti i parë i këtij sesioni parlamentar që është penalizuar nga Kuvendi për shkelje të Rregullores. Gjatë fjalës së tij ai ka hedhur akuza ndaj qeverisë për ryshfete për një vend pune. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, bëri të ditur se menjëherë pas seancës do të mblidhet Byroja për të vendosur për penalizimin e deputetit socialist, Balla. Topalli tha se po zbaton Rregulloren, pasi Balla ka përdorur shprehje ofenduese gjatë fjalës së tij në minutazhin e debatit të lirë. "Ne kutitë do t’i hapim më 30 prill, do t’i hapim, do apo s'do ti. Ne do t’i hapim kutitë më 30 prill për të nxjerr në dritë jo vetëm mekanizmin e vjedhjes se votave, por dhe për ta çliruar Shqipërinë njëherë e mirë nga skllavëria e keqqeverisjes dhe për të hapur njëherë e mirë rrugën e mirëqenies. Kutitë do të hapen më 30 prill jo vetëm për të çmontuar sistemin mafioz të familjes që pushtetin e do për të mbrojtur paratë e korrupsionit dhe paratë e pista, por për të shpëtuar qindra mijëra familje shqiptare nga varfëria, nga papunësia apo mungesa e kujdesit shëndetësor", - tha Balla.
“A e ke marrë rrogën ti, Taulant? Byroja, pas seancës plenare, do të mblidhet për të marrë masa ndaj shkeljes flagrante përmes fjalëve shpifëse, trilluese, mashtruese, të deputetit Balla. Kemi rregulla. Parlamenti funksionon me rregulla. Do të mësojë edhe zoti Balla se si flitet në Parlament", - i është kundërpërgjigjur Topalli.
9 Prill 2010