ODIHR konfirmon rregullsine e procesit zgjedhor, i mbyll rrugen cfaredolloj obstruksioni

Pavarësisht polemikave që shoqëruan ardhjen e saj në Tiranë, shefja e misionit të vëzhguesve të ODIHR për zgjedhjet e 28 qershorit, ambasadorja Odri Glover, premton se misioni vëzhgues do të jetë objektiv dhe aspak paragjykues në punën e tij.
“Ne të gjithë e dimë që këto zgjedhje janë të rëndësishëm për Shqipërinë dhe për integrimin e saj të mëtejshëm në strukturat evropiane. Ne po ashtu e dimë që raporti ynë do të ketë një rol të rëndësishëm për politikën shqiptare dhe të ardhmen e Shqipërisë. I sigurojmë të gjitha palët e interesuara në këtë proces që ODIHR-it do t’a bëjë punën e saj me paanshmëri të plotë. Paanshmëria e ODIHR-it është një nga arsyet se pse është vlerësuar aq shumë puna jonë në të gjithë rajonin e OSBE-së për kaq shumë vjet”, deklaroi Glover gjatë një interviste televizive dhënë dje për TV Alsat.
Nga ana tjetër ambasadorja e ODIHR-it apeloi ndaj gjithë klasës politike të bëjë çdo përpjekje për të pajisur me karta identiteti të gjithë shtetasit që nuk disponojnë pasaportë, duke theksuar se është e vetëdijshme që dokumenti i votimit do të jetë pika e nxehtë e këtyre zgjedhjeve. “Duhen bërë të gjitha përpjekjet që zgjedhësit me të drejtë vote por pa dokumentet e duhura të identifikimit, të pajisen me karta identiteti në mënyrë që të kenë mundësinë të votojnë me 28 qershor. Kjo është një përgjegjësi e qeverisë në mënyrë të veçantë, por si me të gjitha politikat që kanë të bëjnë me qytetaret, procesi i aplikimit dhe shpërndarjes së kartave të identitetit duhet të ketë mbështetjen e qytetareve dhe partive politike. Vëzhguesit tanë afatgjatë po e ndjekin procesin në rajone dhe një nga analistet tanë të zgjedhjeve ka detyre të veçante analizimin e regjistrimit dhe identifikimit të zgjedhësve. Konkluzionet në lidhje me këtë çështje do të përfshihen me raportet tona të ndërmjetme, si edhe në deklaratën e konkluzioneve paraprake që do të nxjerrim ditën pas zgjedhjeve”, u shpreh Glover.
Ndërkaq Glober rekomandon klasës politike që të shmangë defektet e vërejtura në zgjedhjet e fundit ato të përgjithshme në vitin 2007 dhe ato për pushtetin vendor në vitin 2007.
“Të dyja raportet e fundit të OSBE/ODIHR-it deklarojnë se zgjedhjet kishin përmbushur pjesërisht angazhimet e OSBE-se dhe kishin plotësuar kushtet për garë konkurruese. Nga ana tjetër, gjatë të dyja këtyre zgjedhjeve OSBE/ODIHR-i kritikoi rolin e partive kryesore politike pasi ato vunë interesat afatshkurtra partiake mbi stabilitetin dhe besueshmërinë e procesit zgjedhor. Shpresoj që nuk do të ketë një përsëritje të këtij fenomeni në zgjedhjet e sivjetme, siç edhe shpresojmë që arritjet e deritanishme të konsolidohen më tej në 28 qershor”, tha Glover.
Për monitorimin e zgjedhjeve në 28 qershor edhe procesit të numërimit, ODIHR-i kë kërkuar delegimin e 400 vëzhguesve nga shtetet pjesëmarrëse në OSBE. Përfundimet e eksperteve dhe vëzhguesve afat-shkurtër e afatgjate do të përfshihen në një raport paraprak, i cili do të paraqitet ditën pas zgjedhjeve. Ndërkohë që raporti përfundimtar do të nxirret pasi të ketë mbaruar i gjithë procesi zgjedhor, me përafërsi dy muaj pas zgjedhjeve.
Një ditë më parë
Raporti paraprak i misionit të vëzhguesve të OSBE-ODIHR-it vlerësoi dje se Shqipëria ka marrë një numër masash të vlerësueshme për përgatitjen e kuadrit ligjor
dhe funksional të zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit. Raporti konsideron se procesi këtë herë do të zhvillohet duke u bazuar në një “Kodi të ri Zgjedhor të rishikuar e thellësisht të përmirësuar”. Gjithashtu dokumenti vlerëson se listat e votuesve, për herë të parë në historinë e zgjedhjeve në Shqipëri, këtë herë do të nxirren nga baza elektronike e të dhënave të Regjistrit Civil Kombëtar, i përgatitur nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile e Ministrisë së Brendshme dhe angazhimin e strukturave të Ministrisë së Brendshme për të pajisur në kohë qytetarët pa pasaportë me karta identiteti.
...