E Diel, 1 Nëntor 2026

Segmenti rrugor Fier-Berat krejtësisht i pakalueshëm

18/05/2010 Protestojnë drejtuesit: Po na shkatërrohen makinat. Banorët: Po thithim pluhur

FIER- Segmenti rrugor Fier-Berat është krejtësisht i pakalueshëm dhe një pengesë serioze për drejtuesit e automjeteve në të gjithë gjatësinë e segmentit të tij. Por edhe më vështirë dhe më e dëmtuar e këtij aksi të rëndësishëm kombëtar është ai në afërsi të Roskovecit, madje edhe brenda qytezës, ku gropat dhe dëmtimi i rrugës është mjaft i madh. Të gjithë automjetet dhe drejtuesit e tij e ulin shpejtësinë në maksimum për shkak të fundosjes dhe dëmtimit të mjeteve të tyre. Ata pohojnë se janë të detyruar të lëvizin shumë ngadalë për të mos ngecur në gropat e thella brenda qytezës, duke lënë pas në shumicën e rasteve edhe vargun e gjatë të automjeteve çka krijon fluks mjetesh në këtë segment rrugor.

Drejtuesit

“Gjendja këtu është skandaloze, thotë drejtuesi i mjetit Dilaver Hoxha. Ky segment është ferri i vërtetë i të gjithë automjeteve. Firma Salillari mori miliona lekë dhe ja përfundimi. Ne paguajmë 100 mijë lekë në vit për të kaluar nëpër këtë ferr, pasi shumica e drejtuesve nuk kanë punë dhe nuk i çon rruga në Kukës-Morinë. Ky aks rrugor është përditshmëria jonë. Ky aks kaq i dëmtuar ka më shumë kohë se 7 muaj para vitit të ri”.

Drejtuesit e mjeteve në shenjë protestë i bien borisë fort kur kalojnë pranë qytezës së Roskovecit, si për t’u kujtuar të gjithë drejtuesve lokalë se ky është një aks problematik. Jo vetëm për drejtuesit e mjeteve, por edhe për banorët e qytezës së Roskovecit tashmë është shqetësuese, pasi në qendër të qytezës së tyre ka një mori gropash dhe pluhuri që shkaktohet nga lëvizja e mjeteve ndikon në shëndetin e tyre.

“Fëmijët i kemi bllokuar brenda”,-thotë një grua banore e Roskovecit. Ku t’i nxjerrim? Marrin gjithë pluhurin e rrugës në mushkëri. Gropat po të thella, ndrydhin këmbët…”

Ndërmarrja e Mirëmbajtjes së Rrugëve në Fier ka filluar riparimin e një pjese të këtij segmenti, por punimet për riparimet e tij po ecin me ritme tepër të ngadalta. Për më tepër sipas drejtorit të kësaj ndërmarrjeje, Moxart Çela, ky aks rrugor nuk mund të riparohet me arna dhe me rikonstruksione të pjesshme, pasi sërish do të dëmtohet. E vetmja mënyrë është rikonstruksioni i plotë, për më tepër që është pjesë e rrugës nacionale, por ky është i pamundur, pasi kërkon fonde të mëdha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›