E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejdiu: Bullgaria vend model në procesin e integrimit

"Republika e Kosovës është e përkushtuar t'i thellojë edhe në vazhdimësi raportet e gjera të bashkëpunimit që ka me Republikën e Bullgarisë", tha presidenti Fatmir Sejdiu gjatë një takimi që pati të mërkurën me ambasadorin e porsaemëruar të Bullgarisë në vendin tonë, Krasimir Tulechki, i cili, me këtë rast, dorëzoi letrat kredenciale të akreditimit për ambasador.
"Intensifikimi i bashkëpunimit të ndërsjellë në mes dy vendeve tona, po edhe me të gjitha vendet e tjera të rajonit është synim i përhershëm i institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës, të cilët nuk do ta harrojnë asnjëherë mbështetjen e parazervë të shtetit dhe të popullit bullgar në përpjekjet e gjata për liri e pavarësi", theksoi Sejdiu.
Ai tha se, Republika e Bullgarisë është një model i mirë në rajon i kalimit të suksesshëm të fazës së tranzicionit politik e ekonomik, si dhe i rrumbullakimit të shpejtë të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në institucionet e tjera ndërkombëtare.
Presidenti Sejdiu ka ripërsëritur vendosmërinë e Kosovës për përmbushje të plotë të standardeve të kërkuara për integrimin sa më të shpejtë në këto struktura. Ai po ashtu falënderoi ambasadorin Tulechki edhe për mbështetjen që i ka dhënë Bullgaria Kosovës duke e mbrojtur legjitimitetin e pavarësisë së vendit tonë në Gjyqin Ndërkombëtar të Drejtësisë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›