E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejdiu: Ja pse e anulova vizitën në Shkup

Prishtinë -Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu ka treguar arsyet, se pse e kishte anuluar vizitën e tij në Maqedoni pak javë më parë. Sipas Sejdiut, vizita nuk ishte anuluar për të fituar pikë politike, por për të respektuar Kosovën dhe parimet ndërkombëtare.

“Unë kam respektuar parimet e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Natyrisht, është përgjegjësi politike e imja, që të respektoj vendim tim, që të respektoj parimet e njohura ndërkombëtare dhe në këtë rast të respektojë atë që është karakter i vërtetë i një vizitë”-tha Sejdiu në një intersvistë për televizionin Alsat.

Sejdiu u shpreh se ftesa ka qenë e drejtuar si vizitë zyrtare. “E kam pranuar me kënaqësi. Jemi akorduar që vizita të realizohet me 28 maj dhe natyrisht kanë ndodhur ato që praktikisht e kanë hedhur jashtë normales procesin në kuptimin që Republika e Maqedonisë, në këtë rast kabineti i Presidentit Ivanov dhe kush mund të jetë përgjegjës bashkë me të e kanë ndërruar karakterin e vizitës dhe natyrisht që unë nuk kam pranuar që të shkoi”, u shpreh Sejdiu.

Presidenti Sejdiu tha se Kosova do të bashkëpunojë me të gjitha vendet fqinjë, por vetëm në baza të barabarta. “Nuk ka qenë racionale ajo mënyrë sesi është vepruar, por unë kujtoj se do të gjendet kohë dhe do të gjenden momente që secili ta kuptojë se cila është nevoja ma e mirë e mundshme për bashkëpunime në baza të barabarta. Absolutisht them në baza të barabarta”, shroi ai.

Kosova, sipas presidentit Sejdiu, edhe pse është një shtet i ri, i porsalindur, respekton parimet ndërkombëtare të bashkëpunimeve në mes shteteve. “Dhe në këtë kuadër ne do të reflektojmë pozitivisht por natyrisht duke pasur ndjenjën paralele që edhe Maqedonia të ketë qasjen e mirë si ne që ofrojmë”, theksoi Sejdiu.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›