E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejdiu: Jo protokolleve që cënojnë interasat e Kosovës

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, është shprehur në një intervistë për BBC-në se asgjë që del jashtë idesë së projektit Ahtisari, jashtë Kushtetutës së vendit dhe ligjeve në fuqi, nuk do të jetë pjesë e Kosovës. Duke iu referuar dy protokolleve të reja për doganat dhe gjyqësinë, të paralajmëruara për t'u nënshkruar mes EULEX-it dhe Serbisë, presidenti kosovar tha se çdo gjë që mund të cënojë interesat e Kosovës do të jetë e papranueshme. Sejdiu deklaroi se Kosova do të vazhdojë bashkëpunimin me të gjithë faktorët ndërkombëtarë, por sipas tij, ai duhet të jetë në funksion të realizimit të frymës së projektit Ahtisari.
Presidenti Sejdiu akuzoi Beogradin zyrtar se me qasje negative ndaj Kosovës po mban peng edhe qytetarët serbë në Kosovë, gjithashtu edhe proceset e rëndësishme që kanë të bëjnë edhe me fatin e vet Serbisë. Sipas tij oferta që Serbia mund të ketë për lehtësim vizash me BE-në do të nënkuptojë edhe një kërcënim të vazhdueshëm që Beogradi të heqë dorë nga qasja jo e drejtë ndaj vendeve të rajonit.
Presidenti kosovar tha se zgjedhjet lokale në Kosovë, të parashikuara të mbahen në nëntor të këtij viti, do të jenë standard për perspektivën europiane të Kosovës dhe njëkohësisht u bëri thirrje serbëve të Kosovës që të marrin pjesë në to.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›