E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbyti gruan, nis procesi në gjykatë

• Pas tetë muajsh hetimi, Gjykata e Krujës ka nisur procedimin gjyqësor në ngarkim të Sefedin Doçit, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij 26-vjeçare.

KRUJE/ ROLAND NIKOLLI

Hetimet për vrasje nisën pas denoncimit të familjes së Fitnete Doçit se e reja nuk ishte vetëvrarë, por megjithë mohimin e burrit, faktet e gjetura e çuan atë në pranga.
Prokurori i çështjes Bujar Çiçi ka akuzuar në seancën e parë Sefedin Doçin, për veprën penale të vrasjes. Nisur edhe nga dëshmitë e mbledhura si dhe ekspertimi i trupit të pa jetë të gruas së tij, akuza ka provuar se e reja nuk ishte vetëhelmuar me fostoksinë, siç pretendohej, por e asfiksuar nga mbytja. Veç këtyre fakteve, dëshmitë e dhëna dje në sallën e gjyqit kanë qenë prova mbi krimin. Kunata e viktimës, Zana Doçi ka pohuar se Fitnetja, më 13 gusht të vitit të shkuar, kishte ulëritur, çka e kishte bërë atë të shkonte me shpejtësi në banesën e kunatës. Por, e ka gjetur atë të pajetë në dhomën e gjumit, ndërsa pranë saj qëndronte i shoqi dhe familjarët e tjerë. E para që ka dashur të denoncojë shkakun e vdekjes së Fitnetes ka qenë motra e saj, por ajo ka pohuar se ka hasur në kërcënimin e vjehrrës dhe vjehrrit të viktimës, sipas të cilëve nusja 26-vjeçare kishte pirë helm. Blerina Rama ka pohuar se “Fitnetja kishte në trup shenja dhunë, i ishin shkulur flokët, i ishte çarë goja dhe hequr vathi i djathtë”. Ndërsa i vëllai i Fitnetes, në deponimin të tij para gjykatës u shpreh se menjëherë pasi kanë vënë re shenjat e dhunës kërkuan mjekun, por dhe ai i ndryshoi thëniet. “I kërkuam mjekut të fshatit se përse nuk ka kërkuar policinë për të kryer ekspertizën dhe ai na tha nuk dua të përzihem në këtë punë. Ky fakt na rriti dyshimet. Në orën 23:00 të natës pasi jemi mbledhur si familje i kemi kërkuar policisë të kryente ekspertizën. Mjekët ligjorë na thanë qartë: Në trup nuk ka shenja ilaçesh, por vdekja i ka ardhur nga asfiksia dhe ndaj saj është ushtruar dhunë”. Vëllai i viktimës ka kërkuar shpalljen fajtor të ish-burrit të motrës, i cili e ekzekutoi atë pak kohë pas lidhjes në martesë.

Krimi i 26-vjeçares
Vrasja e Fitnete Doçit është kryer me 13 gusht 2007. Një sherr mes çiftit të ri, për arsye që nuk u bënë të ditura, ka çuar në vdekjen e 26-vjeçares. Trupi i saj u gjet i pajetë, por i shoqi dhe familja e tij deklaruan se nusja kishte pirë fostoksinë për t’i dhënë fund jetës. Fakti i vetëvrasjes nuk është pranuar nga familja e Fitnetes, të cilëve viktima u kishte treguar se nuk kishte marrëdhënie të mira me burrin e familjen e tij. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›