E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fajdet, Greqia liron agjentin Vavilis

• Greqia liron nga burgu personazhin e shumëpërfolur lidhur me transfertat e parave të firmave piramidale shqiptare, Apostolos Vavilis.

Marko Caka/ ATHINE

 Lirimi tij nga qelia është bërë dje me një vendim të këshillit të Gjykatës së Apelit të kryeqytetit grek kundrejt një garancie pasurore prej 10 mijë eurosh të vëna në dispozicion të drejtësisë nga i arrestuari. Gjykata greke doli në këtë përfundim duke e arsyetuar se Vavilis nuk cilësohet i dyshuar për vazhdimësi të veprave penale dhe nuk paraqet rrezikshmëri për shoqërinë. Njëkohësisht në lirimin e tij sipas vendimit të gjykatës greke ka ndihmuar dhe sjellja e mirë e Apostolos Vavilis gjatë qëndrimit në qelitë e paraburgimit të Koridhalosë. Vavilis i përfolur edhe si ish-agjent i shërbimeve sekrete do të gjykohet në gjendje të lirë nga Gjykata e Faktit e Athinës vetëm nën akuzat: “falsifikimi të dokumenteve zyrtare” dhe “dhënia e deklarimeve të rreme përpara autoriteteve përkatëse”. Ndërsa për akuzat e përfolura ndaj tij, për shkak të të cilave cilësohej ‘njeriu me 1000 fytyra’ për lidhjet e tij me fajdet në Shqipëri dhe trafikut të paligjshëm të lëndëve narkotike Apostolos Vavili del i palagur, pasi gjykata ia pushoi akuzat, duke i dhënë në një farë mënyrë pafajësi.
Akuzat
Apostolos Vavilis, ishte njeriu i mistershëm që krijoi lidhjet midis firmave piramidale shqiptare dhe mafies greke gjatë viteve 1993–1997, kur në Shqipëri lulëzonte aktiviteti i marrjes së parave me fajde. Vavilis akuzohet edhe për pjesëmarrje në trazirat që pasuan rënien e këtyre piramidave në fund të vitit 1996, periudhë e trazuar që vazhdoi edhe gjatë vitit 1997. Vavilis është lënë i lirë dje në Greqi dy vjet pas arrestimit nga autoritetet italiane. Në Itali Vavilis kishte gjetur strehim dhe së bashku me oficerin policor grek Jani Traindafilaki kishin krijuar një shoqatë jofitimprurëse me emrin “Greqia e madhe”. Pra, si përfaqësues të patriarkanës ortodokse të Jerusalemit ata kishin kërkuar mbështetje ekonomike nga biznesmenë militantë ortodoksë për ringritjen e kultit të kësaj feje në Italinë e Jugut.
Lirimi
Në vendimin nr.887/2008 të gjykatës greke me kryetar Dhimitër Reka, dhe anëtarët Dhimitër Ikonomu e Sokratis Gavalas dhe të prokurorit Kristo Bardhakis, cilësohet se ndaj Apostolos Vavilis nuk kishte prova që faktojnë akuzat e rënda prandaj dhe duhet të lirohet me 10 mijë euro garanci dhe të paraqitet një herë në muaj në rajonin e policisë, në lagjen e tij banuese. Në masën e dhënë nga gjykata atij i ndalohet udhëtimi jashtë Greqisë. Gjithashtu me lirimin e tij Vavilis shfajësohet dhe nga dënimi me 7 vjet burg që është dhënë nga gjykata italiane, pasi e ka gjetur fajtor atë për trafik të lëndëve narkotike. Gjykata ka argumentuar në vendim se gjithë kjo falje është si shpërblim për sjelljen e mirë që ka treguar ai gjatë qëndrimit në burg duke u vlerësuar, si dhe me kontributin e tij duke ndihmuar në pastrimin e kishës së burgut. E vetmja akuzë për të cilën pritet që gjykata greke të marrë vendimin ndaj Vavilis është falsifikimi i identitetit të tij dhe përmbajtja e rreme e deklaratave që ai ka dhënë përpara autoriteteve greke gjate pajisjes me pasaportë. Në këtë moment ai ka deklaruar se emri i tij ishte Andonios-Josif Aivaliotis nga ku udhëtoi në drejtim te Jerusalemit gjatë fushatës së zgjedhjes së patriarkut Irineo.

“Harrohen” milionat e fajdeve shqiptare

TIRANE - Në vendimin e djeshëm të gjykatës greke në akuzat e shumta që rëndojnë mbi Apostolos Vavilis nuk cilësohen aspak lidhjet që ai kishte me bosët e fajdeve shqiptare, si dhe dyshimet për implikimin e tij në transportin e 5 miliardë dhrahmive të depozituar në Bankën Kombëtare të Janinës, ku sipas dëshmive, Vavilis i kishte transportuar paratë së bashku me një deputet të partisë minoritare PBDNJ. Në vendimin e Gjykatës së Athinës nuk citohet asgjë nga mënyra se si Vavilis ndërmjetësoi me autoritetet greke për transferimin në Janinë të 25 miliardë dhrahmive, të firmës piramidale “VEFA”. Vavilis është akuzuar se ndërmjetësoi në blerjen e një hoteli dhe një vile prej bosit të “VEFA”-s në Athinë. Gjithashtu për shkak të marrëdhënieve që ai dyshohet se kishte me Alimuçën ndërmjetësoi për blerjen nga “VEFA” të një sistemi sigurie kundër shpërthimit të eksploziveve me telekomandë, për bosin e “VEFA”-s, i cili kishte marrë kërcënime për jetën. Ndonëse pagesa për këtë sistem sigurie është bërë nga ish-bosi i “VEFA”-s, një gjë e tillë nuk iu dorëzua kurrë porositësit Vehbi Alimuça. Vavilis ishte personi që u akuzua se në bashkëpunim me ish-konsullin italian në Janinë, Kristos Ciondis, tërhoqën nga depozitat e firmës “Gjallica” disa milionë dollarë dhe ndihmuan administratorët e saj t’i fshiheshin drejtësisë për disa vite. Mister mbetet roli i Vavilis dhe bashkëpunëtorëve të tij edhe në trafikun e armëve të grabitura nga depot e ushtrisë shqiptare dhe trafikimi i këtyre armatimeve për kryengritjen palestineze, e cila ndodhi dy vite më vonë. Pas bërjes publike të transfertave që Apostolos Vavilis kishte bërë nga Shqipëria në drejtim të Greqisë, autoritetet e dy vendeve filluan hetimet dhe negociatat me qëllim kthimin e parave të kreditorëve shqiptarë, që kishin përfunduar në Greqi nëpërmjet të akuzuarit Vavilis. Mirëpo diskutime të tilla duket se nuk kanë pasur sukses ndërsa në vendimin e saj të djeshëm që liroi nga paraburgimi të dyshuarin Vavilis, gjykata nuk ka bërë asnjë përcaktim lidhur me paratë dhe shumat e fajdeve shqiptare që janë “zhdukur” pasi janë transferuar në Greqi nga Vavilis.

Shqipëria kërkoi kthimin e parave
TIRANE – Menjëherë pasi u bënë publike dyshimet dhe akuzat ndaj Vavilis se ai kishte marrë para të kreditorëve shqiptarë dhe i kishte transferuar ato në Greqi, autoritetet shqiptare hapën një hetim dhe më pas filluan kontaktet me zyrtarët grekë për kthimin e këtyre shumave me qëllim që ato t’i dorëzoheshin personave që kishin humbur paratë në fajde. Diskutimet e zhvilluara mes dy palëve, në të cilat u përfshi edhe ish-prokurori i Përgjithshëm Sollaku, arritën në përfundimin se ishte e nevojshme një marrëveshje që duhej ratifikuar nga parlamentet dhe qeveritë e dy vendeve e cila më pas të zbatohej nga institucionet përkatëse për kthimin e shumave të fajdeve shqiptare, që nëpërmjet Apostolos Vavilis kishin përfunduar në Greqi. Një proces i tillë mbeti pezull për disa vite derisa Vavilis mbahej në gjendje arresti në Itali. Më pas ai u ekstradua në Greqi për akuzat e ngritura ndaj tij atje, ndërsa më pas diskutimet që u zhvilluan mes Shqipërisë dhe Greqisë nuk dhanë rezultat për kthimin e parave.

5 miliarde
dhrahmi që dyshohet se janë marrë nga fajdet shqiptare, janë depozituar nga Vavilis në Bankën Kombëtare të Greqisë pasi i kishte marrë këto shuma nga Shqipëria

25 miliarde
Dhrahmi dyshohet se janë transferuar nga llogaritë dhe depozitat e ish-kompanisë “VEFA” në drejtim të Janinës nga Apostolos Vavilis gjatë bashkëpunimit të tij me Alimuçën

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›